Kreu i PD Lulzim Basha ka dalë nga SPAK pas më shumë se dy orësh ku u pyet për dosjen e Toyota Yaris, dhe mjaft i rezervuar tha për mediat se është në dispozicion të drejtësisë.
Basha tha se PD është zotuar të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa u bëri apel punonjësve të SPAK dhe BKH të hetojnë dhe luftojnë krimin e të gjitha formave, pasi siç tha ai të vetmin shef që ata kanë janë qytetarët shqiptar.
“Kanë konfirmuar edhe njëherë të vërtetën dhe kanë hedhur poshtë gënjeshtrat. Çështja në Belgjikë nuk është mbyllur, siç ka ndodhur më çështja këtu, paratë e konfiskuara nuk i janë kthyer, hetimi në Belgjikë vazhdon dhe drejtësia belge është e vendosur t’i shkojë deri në fund. Në këtë kuadër për herë të dytë do të bashkëpunoj me drejtësinë belge, me drejtësinë e çdo vendi partner në luftën kundër korrupsionit. E bëj këtë me vetëdijen se ky është mision që i përket të gjithë shqiptarëve.
Është 1 proces që bëhet, por të tillë ka shumë. Përmasat e bashkëpunimit të krimit me politikën në Shqipëri janë në përmasa unike. Siguroj shqiptarët se unë dhe PD jemi në dispozicion të drejtësisë belge dhe drejtësisë në tërësi dhe do jemi proaktivë në luftën tonë kundër krimit të organizuar, duan apo nuk duan të dyshuarit, të pandehurit, të korruptuarit ‘non grata’ të shpallur apo të pashpallurit. Ju është thënë shqiptarëve që çështja është mbyllur që janë ndarë parat midis politikanëve të akuzuar dhe akuzuesve, të PD. Paratë janë konfiskuar dhe procesi vazhdon në Belgjikë. Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH do kenë mbështetjen e PD për të ecur përpara me hetimin e të gjitha çështjeje”, tha Basha.
Përse janë të interesuar të marrin dëshminë tuaj prokurorët belg?
Basha: Nuk janë vetëm për mua, unë kam bindjen , se kisha një bisedë konstruktive. Unë jam në gatishmëri të drejtësisë. Nuk mund të ketë një Shqipëri të drejtë pa luftuar lidhjet e politikës me krimin,
PD e ka të pamundur të ndjekë pushimin e çdo çështje, e dinim që çështja nuk është mbyllur. SPAK dhe BKH nuk kanë shef tjetër përveçse qytetarët shqiptarë.
Kujtojmë se kreu i PD-së, Lulzim Basha është pyetur edhe më parë në lidhje me këto rrethana nga Prokuroria e kryeqytetit dhe kjo dëshmi është tërhequr nga prokurorët e krimeve të rënda, të cilët ende nuk kanë vendosur nëse do t’i marrin si të mirëqena deklaratat e tetorit të 2018-ës apo do ta ripyesin sërish si dëshmitar.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë debatit këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë me kryedemokratin Lulzim Basha, i ka kujtuar këtij të fundit çështjen “Toyota Yaris”.
“Prokurorët belgë ndodhen në Tiranë dhe do të të marrin në pyetje”, tha Manja, drejtuar Bashës.
Kreu i PD-së nga ana tjetër u kundërpërgjigj me ironi duke i thënë Manjës “që të çojë cigare dy shokëve të tij në burgun 313, Kokës dhe Tahirit”.
Lexo edhe: https://top-channel.tv/2022/02/10/ceshtja-toyota-yaris-basha-mberrin-ne-spak-123/
Top Channel