Tension në veri të Kosovës, makinat pa targa kërcënojnë policinë

10/02/2022 19:33

Dy automjete civile ka targa i kanë zënë rrugën policisë së Kosovës mbrëmjen e së mërkurës në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Në pjesën veriore të Mitrovicës, efektivëve u kishte tërhequr vëmendjen një kamion që dyshohej për kontrabandë me mallra, por kur tentuan ta ndalonin për kontroll, u penguan nga dy makinat në fjalë.

Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, penguan zyrtarët e policisë duke mos i lejuar të ndalonin kamionin e dyshimtë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pas kësaj, të gjitha njësitë në zonë u njoftuan për ngjarjen dhe kanë asistuar zyrtarët kufitarë për hetimin dhe kërkimin e personave si dhe të automjeteve të dyshuara.

Liqeni i Ujmanit gjendet në Komunën e Zubin Potokut, që është e banuar me shumicë serbe.

20 shtatorin e vitit të kaluar, trazira të shumta përfshinë veriun e Kosovës pasi qeveria e Albin Kurtit vendosi të mos lejonte më asnjë makinë me targa të Serbisë të kalonte në territorin e vendit.

Ekzekutivi kosovar vendosi të fuste në funksion reciprocitetin e targave, duke bërë të njëjtin veprim si autoritetet serbe, por kur njësitë u dërguan në veri për të siguruar zbatimin e masës kjo shkaktoi rritje të tensioneve dhe serbët lokalë bllokuan rrugët kryesore që conin drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Policia e Kosovës mbeti e bllokuar atje për 12 ditë.

Top Channel