Asambleja e Republikës Sërpska (RS) ka ndërmarrë hapin e parë drejt krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të etnisë (HJPC), institucion që veçse ekziston në nivel të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.
Projektligji për krijimin e këtij këshilli në Republikën Sërpska, që ligjvënësit e mbështetën në seancën e së enjtes, është antikushtetues sepse transferon kompetencat nga shteti në nivel të entitetit. Një vendim të tillë, pra për kalimin e kompetencave nga niveli i shtetit te një nivel më i ulët i qeverisjes, mund ta marrë vetëm Parlamenti i shtetit.
Për këtë projektligj tani duhet të mbahet debat publik 60-ditor. Pastaj deputetët e entitetit do të diskutojnë për të dhe në fund pritet ta miratojnë. Pas miratimit janë një sërë procedurash ligjore deri në emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.
Në seancën e 10 shkurtit, për këtë legjislacion votuan 45 deputetë nga 64 sa ishin të pranishëm në seancë.
Detyra e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, sipas Republikës Sërpska, do të jetë të emërojë gjyqtarë dhe prokurorë në këtë entitet të Bosnjës. Ligji i ri mëton të rregullojë punën organizative, kompetencat, autorizimet, mandatin dhe kryerjen e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale.
“Pa diskutim që ka bazë kushtetuese për miratimin e këtij ligji dhe ne i kemi të gjitha argumentet për këtë”, tha Sërxhan Mazallica, deputet i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, gjatë adresimit të tij në Parlament.
Ai theksoi se Republika Sërspka, përmes dialogut strukturor, që nga viti 2011 ka tentuar që të vë në pah situatën e keqe në sektorin e drejtësisë në Bosnje e Hercegovinë.
Deputetë po ashtu miratuan projektligjin për pasuritë e paluajtshme që përdoren për autoritetet publike. Edhe ky legjislacion është antikushtetues.
Përmes këtij projektligji parashihet themelimi i Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe është antikushtetues sepse barten kompetencat nga niveli qendror tek entiteti.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Parlamenti i Republikës Sërpska miratoi transferimin e kompetencave shtetërore tek entiteti. Ky hap u kritikua nga komuniteti ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara më 5 janar njoftuan se kanë vendosur sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik për afera korruptive, por edhe veprimet e ndërmarra nga ai, që sipas Uashingtonit “minojnë institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës”.
Millorad Dodik edhe në të kaluarën ka kërcënuar me shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina./REL/
Top Channel