Muajt e parë të viti 2022 kanë shënuar rënie të kuotës të liqenit të Fierzës në Kukës, ku krahasuar me një vit më parë në të njëjtën periudhë kuotat kanë qenë në nivel mesatar.
Muaji janar dhe javët e parë të shkurtit kanë shënuar rënie të kuotës në Liqenin e Fierzës, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar. Kjo për shkak të mungesës së reshjeve dhe motit të thatë, pavarësisht reshjeve sporadike të rëna gjatë janarit dhe fillimit të shkurtit.
Të dhënët e fundit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, bëjnë të ditur se niveli i liqenit të HEC-it të Fierzës është 268.12 m, ndërsa kuota maksimale është 296 m. Në fund të muajit dhjetor të 2021, kuota e liqenit të Fierzës ishte rreth 278 metra mbi nivelin e detit.
Ndërkohë edhe prurjet kane rënë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar. Prurjet natyrore në HEC-in e Fierzës, aktualisht llogariten 100 m3/s ndërkohë që prurjet në dhjetorin e 2021 arritën 280 metër kub ujë në sekondë.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi këtë javë se aktualisht në punë janë 4 turbinat e HEC-it të Fierzës.
Top Channel