Ndonëse pa asnjë seancë stërvitore për shkak të dëmtimit ndaj Conventry-t të shtunën, Armando Broja e pa veten në formacionin e parë të Southamptonit në transfertën londineze ndaj Tottenhamit dhe bëri një tjetër paraqitje monstruoze, duke qenë protagonist i një fitoreje spektakolare të “shenjtorëve”.
Që në prekjet e para të topit, bomberi kuqezi tregoi se do të ishte kërcënim serioz për mbrojtjen e Tottenham, që gjithsesi gjeti golin e avantazhit, pas një devijimi të pafat të Bednarek. Në minutën e 19’, Broja u lëshua me shpejtësi e potencë ndaj Sanchez, të cilit i rrëmbeu topin dhe pasi dribloi bukur argjentinasin Romero, provoi të gjejë golin në një pozicion të prirët, por fitoi vetëm një këndore.
Goli për Southampton ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 23-të, me autor pikërisht Armando Brojën, që pas një pasimi të Peraud, gjuajti pa u menduar dhe dërgoi topin në rrjetën e Hugo Lloris, duke shënuar edhe golin e 6 në Premier League. Në minutën e 36’, Broja iu shkëput bukur mbrojtjes londineze dhe e pa veten përballë Lloris, por gjuajtja ishte e pasaktë dhe përfundoi jashtë kuadratit, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim 1-1.
Një nga momentet për t’u shënuar, ishte edhe ai i minutës së 70’, me Emerson Royal që godet ashpër sulmuesin shqiptar dhe në vijim të aksionit Tottenham merr avantazhin, me golin që konfirmohet pavarësisht protestave. Gjithsesi Broja merr ndihmën mjekësore dhe rikthehet sërish në fushë, me një dëshirë edhe më të madhe për të shënuar, teksa në minutën e 78’ shpërthen bukur në gjysmëfushën kundërshtare, por goditja potente përdundoi mbi kuadratin e portës së Lloris.
Southampton nuk e uli ritmin gjithsesi dhe arriti të shënojë dy gola të shpejtë me El Younussin dhe Che Adams, duke realizuar një përmbysje të jashtëzakonshme në Londër, përballë një kundërshtari si Tottenham, që luan për objektiva madhorë. Ndeshja e Armando Brojës përfundoi në minutën e 90’ me zëvendësim, teksa sulmuesi 21-vjeçar konfirmoi sërish momentin magjik që po kalon dhe pas mbrojtjes së Manchester City-t, edhe ajo e Tottenham vuajti jo pak përballjen me të.
Sfida e radhës për Southampton është të shtunën në “Old Trafford” ndaj Manchester United, me Brojën që do të provojë të lërë gjurmë edhe para syve të yllit portugez Cristiano Ronaldo.
Top Channel