Partizani dhe Dinamo ofrojnë një tjetër derbi shkëndijash, në çerekfinalen e kthimit të Kupës.
Gjithçka e hapur me çështjen e kualifikimit, rinis nga barazimi 1-1 i sfidës së pare, me të dyja skuadrat që kërkojnë dëshpërimisht një biletë për në gjysmëfinale.
Me kampionatin që ka shkuar poshtë çdo pritshmërie, si te Partizani, ashtu dhe te Dinamo, Kupa është një barkë shpëtimi për sezonin, si kompeticioni i vetëm që mund t’u ofrojë një trofe e me shumë mundësi edhe shansin për të luajtur në Europë, duke qenë se distanca me vendet e para në kampionat është e konsiderueshme.
Debutim në stolin dinamovit për Bledar Devollin, njeriun që klubi i dha besim, duke i dhënë drejtimin e skuadrës pas largimit të Bledi Shkëmbit. Përtej metodës apo ideve të trajnerit të ri, te Dinamo apeli është për të gjithë lojtarët. Është pikërisht ky momenti për të treguar se vlejnë, me grinte ekstra dhe shkundjen e nevojshme që sjell një ndryshim i rëndësishëm si ai i trajnerit.
Partizani, ndërkohë, vjen në këtë takim me një dozë të shtuar vetëbesimi. Të kuqtë fituan 4-0 në kampionat ndaj Teutës, një sukses i rëndësishëm për të parë më në fund një Partizan që shprehet rrjedhshëm dhe shënon me bollëk. Gjithsesi, në këtë çerekfinale Kupe, ai që pritet të mbizotërojë është kujdesi, si për Partizanin, ashtu dhe për Dinamon, është sfida që absolutisht nuk duhet humbur!/ Supersport
Top Channel