Arti “mposht” koronavirusin: Hap dyert Festivali i 72-të i filmit në Berlin

10/02/2022 19:37

Festat, tapeti i kuq dhe rrëmuja që i jepte as sharm Berlinales, u zbehën ndjeshëm në periudhën e pandemisë.

Por organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit kanë vendosur ta sfidojnë koronavirusin këtë radhë, duke çelur dyert e edicionit të 72-të të tij.

Festivali i filmit do të hapet në Pallatin Berlinale në Potsdamer Platz të enjten në mbrëmje me filmin e ri të regjisorit francez, François Ozon: “Peter von Kant”.

Gjithsej në garën kryesore do të shfaqen 18 filma. Se cili prej tyre do të meritojë trofetë në formë ariu, për këtë do të vendosë një juri ndërkombëtare shtatë anëtarëshe, kryesuar nga producenti, skenaristi dhe regjisori M.

Night Shyamalan, thote DW. Tema mbizotëruese në këtë Berlinale është dashuria, shpjegojne organizatorët, ndërsa jeta në pandemi thuajse nuk është fare e pranishme.

Një karakteristikë tjetër është se ngjarjet zhvillohen kryesisht jashtë qyteteve, nëpër provinca, në udhëtime ose në periferi.

Gjithsej do të prezantohen 256 filma të shkurtër dhe të gjatë, të ndara në disa seksione.

“Berlinale 2022”, zhvillohet pavarësisht numrit të shtuar të infeksioneve me Omikron, çka është kritikuar nga shumë politikanë në vend.

Por rregullat e festivalit janë të rrepta: Kohëzgjatja e garës është kufizuar në gjashtë ditë.

Nëpër kinema do të zbatohet rregulli 2G plus, pra, lejohet hyrja vetëm me certifikatë vaksinimi ose shërimi plus testin antigjen negativ, jo më të vjetër se 24 orë.

Maska mbrojtëse FFP2 duhet të mbahet gjatë gjithë filmit, dhe kinematë do të jenë me kapacitete të përgjysmuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA