Brenda disa ditësh Turqia ka akuzuar përsëri Greqinë për metodat e saj të kthimit me forcë të refugjatëve, duke marrë shkas nga vdekja e 19 emigrantëve në zonën turke pranë kufirit midis dy vendeve.
Një javë më parë autoritetet turke gjetën trupat e 19 emigrantëve të vdekur nga të ftohtit dhe Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu me një postim në Twitter akuzoi rojet greke se i kishin kthyer ata me forcë përtej kufirit pa këpucë, pretendim të cilin ka mohuar pala greke duke e quajtur si një propagandë të rreme.
“Greqia vazhdon politikën e saj të kthimeve me force në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe në shkelje të qartë të të drejtave të njeriut. Shumë emigrantë nga vende të ndryshme humbën jetën në mes të detit Egje për shkak të këtyre kthimeve, pasi Greqia i ka goditur këto barka ose ika qëlluar me armë”, tha Mevlut Cavusoglu, Ministër i Jashtëm i Turqisë.
Akuzës së përsëritur nga Cavusoglu i është përgjigjur në një konferencë shtypi homologu i tij finlandez i cili në fakt ka mbrojtur palën greke dhe politikat e BE për refugjatet.
“Do të doja të deklaroja se mbroj Greqinë duke pasur parasysh numrin e madh të emigrantëve që arrijnë atje dhe në Itali, kanë një presion të jashtëzakonshëm. BE në tërësi duhet të ndajë barrën e këtij fluksi migrator kryesisht në brigjet e Mesdheut”, tha Pekka Haavista, Ministër i Jashtëm i Finlandës.
Edhe kreu i diplomacisë greke Nikos Dhendias është përgjigjur ndaj akuzave të palës turke duke theksuar se gjëja e fundit që i duhet Greqisë janë mësimet dhe udhëzimet nga Turqia mbi çështjet e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e emigracionit. Turqia ka thënë Dhendia është ajo që ka instrumentalizuar emigracionin dhe i ka përdorur emigrantët si armë shantazhi mes BE-së dhe Greqisë.
Top Channel