Në mesin e tensioneve mbi një pushtim të mundshëm të Ukrainës, parlamenti sllovak i dha dritën jeshile një traktati për mbrojtje ushtarake me Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja për Bashkëpunimin e Mbrojtjes kaloi me 79 vota pro dhe 60 kundër.
Traktati do t`i lejojë ushtrisë amerikane që të përdorë dy baza ajrore–bazën Malacky-Kuchyna dhe Sliac – për dhjetë vjet në Sllovaki, shtet anëtar të NATO-s.
Si shpërblim Sllovakia do të marrë 100 milionë dollarë nga SHBA-ja, me qëllim modernizimin e bazave në fjalë. Pakti mban firmën e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, dhe ministrit sllovak të mbrojtjes, Jaroslav Nad.
Ai duhet ratifikuar edhe nga presidentja Zuzana Caputova, e cila e ka bërë të qartë se e mbështet plotësisht traktatin. Sllovakia është në kufi me Ukrainën, dhe frika e një përhapjeje të konfliktit, sa vjen e shtohet në këtë vend.
Kryeministri Eduard Heger, do ta “rrisë sigurinë në mënyrë të konsiderueshme”.
Por, marrëveshja është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, e cila ka dalë me pretendimin se ajo komprometon sovranitetin e shtetit, duke bërë që prezenca e trupave ushtarake në territorin sllovak të jetë e përhershme.
Po ashtu, opozita ka thënë se traktati mund të mundësojë edhe dislokimin e armëve bërthamore në Sllovaki.
Top Channel