Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të vuajë dënimin e tij në burgun e Fierit. Burimet për gazetaren Anila Hoxha, thanë se vendimi është marrë këtë të mërkurë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 4 shkurt dha vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me 5 vite heqje lirie.

Për shkak të uljes së dënimi, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj. Ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu i Fierit.

Ish-ministrit Tahirit i lejohet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.

Tahiri nuk ka pranuar të komentoi vendimin për mediat, ndërsa ka nxituar që para se të shoqërohet në burgun “313”  në Tiranë të bëjë një telefonatë.

Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, shënoi fundin e një çështje që u zvarrit prej pesë vitesh në radhët e shumë gjykatave. Ndërsa, ndalesa në GJKKO, i dha fund fatit të Tahirit.

SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin dhe ish-drejtorin e policisë Jaeld Çela. Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi që Tahiri të shpallej i pafajshëm.

Çështja “Tahiri” u regjistrua në këtë GJKKO më 26 nëntor 2021.

Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit, Jaeld Çela.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020 të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues. Apeli i Posaçëm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike. Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.

Top Channel