Presidenti Ilir Meta ka firmosur kallëzimin penal kundër Kuvendit këtë të mërkurë, për falsifikim provash në Gjykatën Kushtetuese gjatë seancës për shkarkimin e tij.

“Kam firmosur sot kallëzimin penal kundër strukturave dhe funksionarëve përgjegjës të Kuvendit me akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”. Kallëzimi penal do depozitohet në Prokurori dhe në SPAK”, tha Meta.

Sipas presidentit ky falsifikim nga ana e Kuvendit tregon mënyrën se si ka funksionuar kjo gjatë kësaj periudhe pa dhe me opozitën në sallë.

Kreu i shtetit thekson se themelet e republikës janë tronditur rëndë duke krijuar pikëpyetje, nëse kemi garanci që ligjet të cilat votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë rrugës në interes të grupeve të caktuara.

“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Kjo ndodh në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër kreut të shtetit dhe ky krim falsifikim tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi një partiak deri para 25 prillit, por një dramë që se si po funksionon ky kuvend me opozitë, prandaj kemi të bëjmë me themele të republikës që janë tronditur rëndë. Edhe ndërtimi i institucionit  të drejtësisë është i qartë. Jo vetëm falsifikuan letrat, por edhe për të shkarkuar presidentin falsifikojnë në Gjykatë Kushtetuese, çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes  në interes të grupeve të caktuara?”, tha Meta.

Në lidhje me pyetjen nëse ai do ta lirojë zyrën nëse vendimi i Kushtetuese është pro shkarkimit të tij, Meta nënkuptoi që jo, duke thënë se nuk është data 24 korrik, dita kur presidentit i mbaron mandati.

“Ju thoni nëse 24 korriku është sot do doja që të ishte që dje, nuk do të ketë asnjë bravë shtesë nuk do blindohet gjë. Në 24 korrik do të bëjmë një festë, aty është populli i 2 marsit, shumë i irrituar pas këtyre falsifikimeve. Vetëm mos bëni gabime”, tha Meta.

Ishte e çuditshme mënyra se si Meta mbylli fjalën e tij para gazetarëve, duke përdorur fjalët e ish-kryeministrit Sali Berisha, në kohën kur presidenti ishte kryetar Kuvendi dhe PD ishte në opozitë.

“Unë jam Ilir Meta u super budallenj, ju jeni yje”, mbylli fjalën para gazetarëve Meta.

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj dha detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”, të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Sipas tij, Kuvendi ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke falsifikuar dokumentin për të plotësuar afatin prej 48 orësh që thotë se rregullorja e Kuvendit duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare.

Ai tregoi se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë, duhet që raporti për këtë vendim, të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

Kur na erdhi radha të bëjmë parashtrimet tona, Kuvendi e ndjeu veten të dobët dhe menjëherë aktivizohet të nesërmen me një shkresë. Shkelja apo manipulimi i parë, urdhri që Kuvendi i vendosi në 4 shkurt Gjykatën Kushtetuese. Si çdo urdhër ka të përcaktuar në pikën 20 rendin e ditës, ku përfshihet projekt-vendim për raportin dhe propozimin e komisionit për çështjet ligjore. Këto prova shtesa nuk ia kërkoi Kushtetuesja as Presidenca. Bëmë një krahasim të përmbajtjes së këtij urdhri me urdhrin që vetë Kuvendi ka depozituar në faqen e tij që prej majtit 2021. Nuk kemi më datën 05/05 por 06/05. A mos lidhet kjo me një nga shkeljet? Të gjitha dyshimet aty të çojnë”, tha ai.

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit thotë se mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

Dervishaj, i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.

Të gjitha këto veprime të Kuvendit nuk ka sesi që kemi të bëjmë me një manipulim prove. Kuvendi kërkonte të justifikonte në Kushtetuese se Presidenti gaboi me pretendimet se ishin në shkelje të afateve për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe për miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve”, tha Dervishaj.

Dervishaj dhe presidenti Meta deklaruan se do t’i drejtohen Prokurorisë “për manipulimin e shkresave nga ana e Kuvendit”.

Presidenti i Republikës publikoi një ditë më parë 72 pyetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe përgjigjet e tij me shkrim.

Pyetjet e Gjykates Kushtetuese dhe Pergjigjet e Presidentit Ilir Meta

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, debatoi me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në atë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës, Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike, e kushdo tjetër, duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Bledar Dervishaj, përfaqësuesi ligjor i Presidentit, paralajmëroi se Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej: nxitja e dhunës.

Përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti i kaluar për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ata mendojnë se institucionit të Presidentit iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor dhe se ky komision i ngrit në shkelje të afateve ligjore.

Përfaqësuesit e kreut të shtetit, duke iu referuar Kushtetutës, nënvizuan se Kuvendi nuk mund të kryejë asnjë hetim parlamentar në katër muajt e fundit të mbarimit të mandatit.

Presidenca e nisi mbrojtjen duke kërkuar përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese me pretendimin se ishin në konflikt interesi dhe kushte papajtueshmërie për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Një kërkesë e tillë u rrëzua si e pabazuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosi për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga Vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA