Një 37-vjeçare rrëfeu sot në “Shqipëria live” dhunën fizike dhe psikologjike që ka përjetuar nga bashkëshorti, ndërsa dy fëmijët kanë qenë dëshmitare të vuajtjes së nënës.
Ana, identiteti i së cilës nuk u bë publik, tregoi se burri kishte marrëdhënie sentimentale të tjera jashtë martese dhe kur vinte në shtëpi, e dhunonte.
Me dhimbje, ajo rrëfen se është dhunuar seksualisht, deri në atë pikë sa rrezikonte të ndërronte jetë.
“Jam përdhunuar barbarisht nga ai person dhe kam bërë një ndërhyrje, që nuk e dija a do të dilja gjallë. Pas operacionit, kuptova që m’u dha shansi i dytë për të jetuar dhe u largova”.
Disa muaj më parë, bashkëshorti, me të cilin ende nuk është divorcuar , e ka përzënë nga shtëpia dhe që atëherë, nuk e lejon që të shohë fëmijët.
“Kam shtatë muaj e gjysmë pa i parë prindërit. Ata janë fëmijët tanë dhe duhet t’u gjendemi të dy njësoj. Jetojmë në të njëjtin qytet, por nuk i shoh dot. I bëj thirrje shtetit të më ndihmojë”.
Mes lotësh, Ana e mbyll me një mesazh për nënat shqiptare që mund të jenë në jenë në një situatë të ngjashme:
“Mos të bëjnë të njëjtin gabim që kam bërë unë. Kur u jepet mundësia, me të parën të largohen, siç jam larguar unë. Të marrin fëmijët dhe të ikin, të shpëtojnë. Të mos i ushqejnë fëmijët me urrejtje”.
Top Channel