Një rrëshqitje masive dheu “varrosi” praktikisht disa shtëpi në rajonet qendrore të Kolumbisë, duke i marrë jetën 14 personave. 35 të tjerë u plagosën, ndërsa një banor ende nuk është gjetur, thanë zyrtarët lokalë.
Rrëshqitja e tokës ndodhi në orët e para të mëngjesit në rajonin Dosquebredas. Ajo pasoi shirat e rrëmbyer në provincën përreth ku kultivohet kafeja, Risalda.
Ekipet e shpëtimit janë vënë në luftë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve mes lumenjve të baltës. Banorët ende nuk e kanë marrë veten nga tronditja.
“Dëgjuam një zhurmë të fortë, u tmerruam. Dolëm dhe pamë që një pjesë e malit ishte në majat e shtëpive. Vrapova aty, çfarë t’ju them, një tragjedi, njerëzit të bllokuar nën dhe e baltë”.
Disa nga banorët e zonës që i shpëtuan fatkeqësisë, shkuan në ndihmë ekipeve të emergjencës.
Ata thonë se nga balta u mbuluan të paktën 5 shtëpi.
Autoritetet evakuuan banesat aty pranë nga frika e rrëshqitjeve të tjera të dheut pas daljes së lumit Otun nga shtrati.
Top Channel