Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të mërkurë ka regjistruar nën siglën e “Shtëpisë së Lirisë”, kandidatët e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.
Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi nuk pranoi të përfshinte Komisionin e Rithemelimit në listën e subjekteve anëtare të koalicionit, por la vetëm Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane.
Në bashkinë më të madhe në veri të vendit, Shkodrën, “Rithemelimi” do të garojë me Bardh Spahinë, i cili në primare ishte më i votuari. Befasi në këtë garë brenda kësaj force politike, ishte mospërfshirja e Voltana Ademit, kryetares në detyrë të bashkisë Shkodër.
Bardh Spahia është ish-deputet i Partisë Demokratike, me profesion mjek.
Në bashkinë e Durrësit, Komisioni i Rithemelimit do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka.
Ndërsa PD-ja zyrtare ka vendosur si kandidat për Bashkinë e Dibrës, për zgjedhjet e 6 marsit, Luan Hakën. Në Durrës, kandidat është Luan Hoti, në Rrogozhinë kandidati është kryetari i kësaj dege, Ferdinant Saraçi. Në Lushnjë, është shpallur kandidat Indrit Sefa, në Shkodër Xhemal Bushati dhe për bashkinë e Vorës kandidon Ymer Marku.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë në Durrës me Emirajana Sakon, aktualisht kryetare në detyrë e Bashkisë. Socialistët gjithashtu kanë vendosur të garojnë në Shkodër me një tjetër grua, Majlinda Angonin, aktualisht prefekte të qarkut Shkodër. Për Bashkinë Dibër, PS garon me Rrahim Spahiun, ndërsa në Rrogozhinë, me Edison Memollën, aktualisht kryetar i komanduar. Për Bashkinë e Vorës, PS-ja kandidon arsimtarin Blerim Shera, ndërsa e fundit që u zgjodh ishte kandidatja për Bashkinë e Lushnjës, Eriselda Sefa.
Top Channel