Mund të numërohen me gishtat e dorës shqiptarët që kanë zgjedhur për të emigruar në Ukrainë apo edhe për studime. Një prej tyre është Albani, i cili pasi mbaroi studimet në politeknikum, prej gjashtë vitesh jeton dhe punon në Ukrainë, si menaxher shitjesh për një kompani belge.
Në Kiev ka ndërtuar familjen e tij, pas martesës me një vajzë ukrainase.
I dërguari Top Channel në Kiev, gazeteri Muhamed Veliu e takoi pak metra larg nga Sheshi Maidan ku në 2014 u zhvillua revolucioni EuroMaidan për të rrëzuar presidentin pro rus Viktor Janukoviç.
Natyrshëm biseda rrjedh për situatën ku ndodhet sot Ukraina dhe sa ndikon ajo në të përditshmen e Albanit dhe familjes.
Në një intervistë për Top Channel, Alban Cali tregon përjetimin e një shqiptari në një vend i cili është vendosur në fokusin e të gjithë botës, pas frikës së pushtimit nga Rusia.
Muhamed Veliu: Ju jeni ndër të paktët shqiptarë që jetoni në Kiev, si e keni përjetuar gjithë këtë situatë të tensionuar të ditëve të fundit?
Alban Cali: Situata është e tensionuar duke ndjekur edhe lajmet vendase dhe ndërkombëtare gjithashtu. Por edhe Top Channel në lajmet në Shqipëri.
Muhamed Veliu: Qeveria këtu po mundohet të minimizojë efektin negativ që prodhon kjo situatë?
Alban Cali: Kjo është shumë e vërtetë, po të ndjekësh lajmet vendase dhe ndërkombëtare ka një lloj disbalance por mendoj që është një nga gjërat kryesore që qeveria në Ukrainë po bën për të ruajtur një qetësi në popullatë.
Muhamed Veliu: Ju punoni me kolegë ukrainas, çfarë mendojnë ata për situatën? A janë të përfshirë ata në trajnimet për ta mbrojtur atdheun e tyre nga një sulm i mundshëm prej Rusisë?
Alban Cali: Ka kolegë që janë të tensionuar, ka nga ata që s’i ndjekin lajmet për të mos qenë të tensionuar, por ka edhe nga ata që janë bashkuar dhe regjistruar për mbrojtjen territoriale të Kievit.
Muhamed Veliu: Ju jeni i martuar me një vajzë ukrainase, a keni menduar në rast të një konflikti të armatosur, të ktheheni në Shqipëri?
Alban Cali: Po. Bashkëshortja e mendon se në rast të ndonjë shpërthimi të armatosur, shpëtimi mbetet Shqipëria.
Muhamed Veliu: Këtu ka një komunitet shqiptarësh të vjetër që jetojnë në Ukrainë, me çfarë merren dhe si e përjetojnë ata një situatë të tillë?
Alban Cali: Disa nga ata që unë flas dhe kam kontakte, jetojnë në Kiev, kanë qenë të qetë, por një pjesë e madhe e qytetarëve të Ukrainës nuk e besojnë se do të ndodhë një konflikt ushtarak.
Top Channel