Komisioni Evropian propozoi të martën një plan të ri për të forcuar prodhimin evropian të mikroçipëve, në një kohë kur prokurorimi i këtyre komponentëve teknologjikë, thelbësorë për funksionimin e të gjitha pajisjeve elektronike, po bëhet një prioritet industrial në shumë vende të botës. Në fakt, shumë shtete kohët e fundit kanë shpallur plane të mëdha investimi për të rritur prodhimin dhe për të fituar pjesë të reja të tregut.
Plani evropian, i cili tani për tani është ende një propozim dhe emërtohet Akti i Çipave Evropianë, parashikon një investim total prej 43 miliardë eurosh, të ndarë mes financimit publik dhe investimeve private, si dhe krijimin e një fondi specifik për investime dhe një lehtësim të rregullave për ndihmën shtetërore nga vendet anëtare. Qëllimi, shpjegoi Komisioni është që të arrijmë 20% të prodhimit botëror të mikroçipeve në vitin 2030. Aktualisht, Bashkimi Evropian zë vetëm 9 për qind të prodhimit botëror.
Mikroçipat janë komponentë themelorë në shumë produkte dhe jo vetëm në elektronikë, pavarësisht se ne mendojmë se ato gjenden vetëm tek kompjuterat dhe celularët, por tani çipat janë thelbësorë për çdo pajisje që ka të paktën një pjesë elektronike.
Në një makinë, për shembull, gjenden dhjetëra të tillë dhe përdoren për të menaxhuar xhamat elektrikë, kompjuterin në bord, sistemin e argëtimit, airbagët, sensorët e parkimit etj. Prej më shumë se një viti, pjesërisht për shkak të efekteve ekonomike të pandemisë së koronavirusit dhe pjesërisht për shkak të krizës në tregtinë globale, ka pasur një mungesë të madhe të mikroçipëve në të gjithë botën, gjë që ka bërë që prodhimi të ngadalësohet në shumë sektorë. Në Evropë, një nga sektorët më të prekur ishte sektori i automobilave, siç shpjegoi Komisioni, ndërsa prodhimi në disa vende ra me një të tretën për shkak të mungesës së çipave.
Në këtë kontekst, Evropa e ka gjetur veten në vështirësi të mëdha, pasi është pothuajse tërësisht e varur nga vendet e tjera për furnizimin e çipave. Aktualisht, prodhimi global i mikroçipave, veçanërisht atyre më të sofistikuarve, dominohet nga tre vende: SHBA-të, Koreja e Jugut dhe mbi të gjitha Tajvani, i cili me TSMC-në e tij shumëkombëshe zë 54 për qind të prodhimit botëror.
“Çipat janë thelbësorë në çdo pajisje. Por pandemia arriti të ekspozojë dobësitë në zinxhirin e furnizimit”, tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
Plani evropian për prodhimin e mikroçipëve, megjithëse është shumë ambicioz, u prit me njëfarë skepticizmi. Para së gjithash, sepse fondet e akorduara, edhe pse të mjaftueshme, janë gjithsesi më të vogla krahasuar me buxhetet e fuqive të tjera ekonomike.
Akti Evropian i Çipave siguron një financim prej 43 miliardë euro, një shumë kjo e krahasuar me 52 miliardë dollarët që u miratuan së fundmi nga Kongresi Amerikan për sektorin e mikriçipave.
Mirëpo, 52 miliardë dollarë amerikanë përfshijnë vetëm ndihmën federale, shtetet individuale të SHBA-së kanë avancuar me planet e tyre të zhvillimit të industrisë, duke shtuar disa miliardë.
Kurse nga 43 miliardë euro të parashikuar nga Bashkimi Evropian, vetëm 11 miliardë do të shkojnë për financim direkt të sektorit dhe nga këto 11 miliardë, gjysma do të vijë nga buxheti i BE-së, ndërsa gjysma tjetër do të duhet të ndahet nga shtetet anëtare. Fondet e mbetura duhet të vijnë ose nga investimet private ose nga ndihma shtetërore e vendeve anëtare të BE-së.
Top Channel