Armando Broja mbylli ndeshjen ndaj Conventry-t në FA Cup me një dëmtim në gju, që trembi jo pak trajnerin e Southampton, Ralpf Hasenhuttl, megjithatë vetë ky i fundit ka dhënë lajme mjaft pozitive në konferencën për shtyp në prag të transfertës londineze ndaj Tottenham.
Sipas trajnerit austriak të “shenjtorëve”, ndonëse Broja nuk është stërvitur për dy ditë radhazi, gjendja e tij duket e mirë dhe me shumë gjasa do të jetë në dispozicion për të luajtur ndaj Tottenhgamit të mërkurën në mbrëmje.
“Për fat të mirë dëmtimi i Brojës nuk duket shumë shqetësues. Nuk është stërvitur as të dielën dhe as të hënën, por kemi shpresa që sot mund të bashkohet me grupin dhe nëse kjo ndodh, atëherë mund të luajë nesër ndaj Tottenham”, u shpreh trajneri Hasenhuttl.
E nëse për Brojën ka lajme të mira, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy futbollistët e tjerë të Southampton, Nathan Tella dhe Lyanco, me këtë të fundit që luajti vetëm 33 minuta ndaj Conventry-t dhe më pas la fushën I dëmtuar, teksa për rikuperimin do t’i duhen të paktën 12 javë.
Southamptonin e presin dy transferta të vështira dhe motivuese në kampionat, teksa nesër në mbrëmje do të udhëtojnë drejt Londrës për t’u përballur me Tottenhamin, ndërsa në fundjavë do të jenë mysafirë në “Old Trafford” për t’u përballur me Manchester United.
Top Channel