Situata në disa zona të vendit nuk paraqitet e mirë, pas uljes së temperaturave dhe reshjeve të shiut dhe borës.

Dhjetëra fshatra në disa qarqe janë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit.

Qarku i Kukësit prej së hënës në mbrëmje është përfshirë nga moti i keq me reshje dëborë e erë të fortë, ndërsa edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Për pasojë ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve për shkak të rënies së reshjeve të dëborës dhe rënies së gurëve. Komisioni I Mbrojtjes Civile I Prefekturës Kukës, njofton se akset rrugore nacionale sidomos ato Bajram Curr-Valbonë, Kukës-Bushtricë, Kukës -Shishtavec dhe Fushë Dukagjin-Qafë Shllak kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve gjë që përbën rrezik për personat që qarkullojnë.

Nga kontraktorët është punuar për pastrimin borës, inerteve, gurëve  dhe mbajtjen funksionale të rrugëve. Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme.

Furnizimi me  ujë të pijshëm është normal në shkallë Qarku. Pa energji janë Njësia Administrative Zapod, Shishtavec, Topojan, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe fshatrat Pistë, Mgull dhe Leproj; Njësia Administrative Malzi Bashkia Kukës; Njësia Administrative Margegaj dhe fshati Kam; Njësia Administrative Bytyq Bashkia Tropojë dhe  Njësia Administrative Golaj Bashkia Has.

Po punohet nga grupet e punës  të OSHEE-së për eliminimin e defekteve. Deri në këto momente nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente. Moti i keq me erë dhe reshje dëbore si dhe rrëshqitja e gurëve në rrugë, ka detyruar policinë e Kukësit, të rrisë prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane e rurale, për t’ju ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve.

Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora. DVP Kukës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Në gjithë territorin e bashkisë Dibër ka pasur reshje dëbore për gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit.

Momentalisht nuk ka probleme me qarkullimin në akset kryesore që lidhin Dibrën me Tiranën dhe Kukësin. Situata e energjitike është shqetësuese pasi janë shume njësi administrative pa energji elektrike ku Selishta.Lura dhe Kala e Dodes janë pa energji nga dje.

Ndërsa në Bulqizë për shkak të reshjeve gjatë natës të shoqëruar me erë të fortë dhe ngrica kanë ngelur pa energji Njesitë  Administrativ Fushë Bulqizë, Zerqan,Ostren si dhe një pjesë e Lagjes së vjetër në qytetin e Bulqizës, prej dëmtimit të linjave të trasmetimit të tensionit.

Qarku Elbasan që prej mbrëmjes së një dite më parë është përfshirë nga reshje shiu e dëbore.

Nga raportimet e strukturave të Emergjencave Civile në bashki rezulton se situata është nën kontroll. Akset rrugore janë të hapura. Ka pasur prezencë inertesh në aksin Gramsh-Moglicë.

Prezencë dëbore ka pasur në aksin Elbasan-Gjinar ku në orët e para ka krijuar pak problematika në qarkullim, por tani rruga është e hapur.

Në rrugët e fshatrave që lidhen me Njësinë Administrative  Labinot Mal dhe në segmentin Lunik-Klenjë të aksit rrugor nacional Librazhd-Sterblevë duhet që lëvizja të kryhet me zinxhirë. Deri më tani nuk ka probleme me prurjet e lumenjve dhe përrenjve në qark, ndërsa furnizimi me energji elektrike paraqitet pa probleme.

Në Korçë intensitet më të lartë të dëborës ka pasur në Qafën e Thanës, në Qafë Plloçë, në Qafë Qarr.

Të gjitha akset nacionale janë të kalueshme por këshillohet përdorimi i gomave dimërore ndërsa në aksin turistik Korçë-Dardhë këshillohet përdorimi i zinxhirëve. Reshje pritet të ketë gjatë gjithë natës ndërkohë firmat kontraktore janë në terren për të mbajtur hapur të gjitha akset.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA