Me një deklaratë të përbashkët, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ambasada amerikane në Tiranë kërkojnë që të votohet zgjatja e afatit të vetting-ut.

Në deklaratën e dy selive diplomatike thuhet se Shqipëria gjatë viteve të fundit ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultat”, thuhet në deklaratë.

Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element thelbësor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetting-ut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për të zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.

Ambasadorët thonë se zgjatja e propozuar e vetting-ut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin vendin tonë në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kjo nuk është një çështje partiake, shpresojmë që të gjithë deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake, të shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetting-ut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian“, përfundon deklarata e ambasadorëve

Top Channel