Krah regjistrit fizik, detyra e re e arsimtarëve është plotësimi i të dhënave të shkollës në një platformë virtuale që synon afrimin e mësuesve me prindërit për të mësuar në kohë reale notat e fëmijëve të tyre, mungesat, etj..
Me propozim të ministrisë së arsimit u vendos krijimi i sistemit online të menaxhimit të informacionit parauniversitar.
Nanila Biçaku- portali shkollor : “ Mësuesit nuk janë gati, pandemia e tregoi qartë. Për hir të së vërtetës arsyeja është e thjeshtë mungesa e infrastrukturës. Mësuesit edhe sot e kësaj dite nuk kanë madje printera. Shkojnë nëpër kancelari për të printuar testet e nxënësve, e paguajnë cdo gjë nga xhepi i tyre.”
Teksa përpjekjet e qeverive kanë vijuar ndër vite për të digjitalizuar institucionet arsimore parauniversitare, në fakt mjafton të shkosh vetëm pak km larg kryeqytetit, në periferi e shikon se në shkollat tona shqiptare nuk ka as internet e as kompjutera.
‘Nuk ka asnjë gjë, as kompjutera as internet. Informatikë nuk bëjmë fare! ‘
Zhvillimi i shoqërisë e jeta në epokën digjitale sjell nevojën edhe për ndryshime në sistemin arsimor, por a janë gati shkollat në Shqipëri për të mirëpritur teknologjinë pa mjetet e duhura?
“Kemi parë edhe tentativa të tjera të mëparshme të cilat kanë nisur, por asnjëherë nuk kanë përfunduar. Kam frikë se ndoshta kështu do të shkojë edhe kjo platform, mund të dështojë! “
Mungesa e kushteve bazë në shkolla si dhe aftësitë digjitale të pakta të mësuesve, jo vetëm vënë në pikëpyetje funksionimin e kësaj nisme, shqetësohen ekspertët, por edhe ngarkojnë më tepër mësuesit.
Top Channel