Në Kiev kërkohen rrugë diplomatike, Koverda: Rusia nuk e njeh zgjidhjen e problemeve pa përdorur armët

08/02/2022 16:26

Ukrainasit nuk shfaqen optimist për sa i përket gjetjes së një gjuhe të përbashkët diplomatike që do ndihmonte në uljen e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës. Shumë prej tyre do dëshironin që zgjidhja e këtij konflikti të vinte nga kjo rrugë, por siç duket, shanset janë të pakta, ata mendojnë se Federata Ruse dhe agjentët e tyre të shërbimit sekret nuk e njohin zgjidhjen e problemeve pa ndihmën e armëve.

Një prej këtyre qytetarëve është Alisa Koverda nga Kievi, e cila thotë se Ukraina është përgatitur për t’iu përgjigjur agresionit rus me forcë. Ajo u intervistua nga gazetari i Top Channel, Muhamet Veliu, i cili prej 48 orësh ndodhet në Kiev për të raportuar live në lidhje me situatën e krijuar.

Koverda mendon se ushtria ukrainase sot është shumë herë më e fortë nga sa ishte në 2014. Sipas saj, qytetarët duan që kjo situatë të zgjidhet me diplomaci, por ata janë të vetëdijshëm se Federata Ruse dhe agjentët e saj të shërbimit sekret nuk e njohin zgjidhjen e problemeve pa përdorur armën.

Prandaj ne po përgatitemi për këtë. Ushtria është gati dhe jemi të kënaqur nga ndihmat ushtarake që po vinë nga SHBA dhe vendet e BE-së. Një ndihmë të tillë nuk e patëm në 2018-ën dhe kjo ka shumë rëndësi për ne tani”, tha Koverda.

Ajo tregon se në 2014 ushtria ukrainase ishte shumë e dobët dhe Rusia dinte gjithçka për kapacitetet ushtarake, duke nisur që nga postoblloqet e vendosura në lindje të Ukrainës.

Ishte shumë e vështirë të luftonim me Rusinë në 2014. Që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar. Tani kemi një ushtri shumë mirë të trajnuar e të armatosur e aftë për të mbrojtur. Ndryshe nga 2014 tani në 2022 i kemi të gjitha mundësitë të mbrohemi më mirë”, tregoi Koverda.

Top Channel