Pas denoncimit të rastit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, policia ka arrestuar infermierin e laboratorit që falsifikoi një dokument shëndetësor kundrejt shumës 15 euro, me qëllim kalimin e kufirit në drejtim të Maqedonisë.
Fiks Fare solli dje në mbrëmje, sërish rastin e një laboratori që jep përgjigje fiktive të tamponit vetëm me qëllim kalimin e kufirit. Gazetarët e Fiksit sollën rastin e një laboratori pranë pikës kufitare të Qaf Thanës i cili kryen teste për covid 19. Laboratori Union Clinic nxjerr përgjigje tamponi negative pa e kryer fare analizën.
Gazetarja e Fiksit ju drejtua kësaj pike, ku kërkoi të kryente një rapid test. Kërkoi që të marrë përgjigjen negative pa bërë fare tamponin. Laboranti kreu thjesht procedurën e regjistrimit, mori pagesën dhe printoi përgjigjen negative të gatshme pa kryer asnjë lloj analize. Kundrejt shumës prej 15 eurosh gazetarja e Fiksit u pajisë me përgjigje negative të tamponit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, pas publikimit të rastit mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku në pamjet filmike u transmetua punonjësi i një laboratori/klinike pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i cili kundrejt shumës prej 15 euro, pa kryer asnjë analizë për COVID-19, i lëshoi një shtetaseje (konkretisht gazetares së këtij emisioni), përgjigjen negative të Rapid Testit (testit antigjen), menjëherë kryen verifikimet e rastit, me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të këtij shtetasi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, i shtetasit M. XH., 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, me detyrë infermier”, njofton policia.
Top Channel