Krokodili me gomën e motorit në qafë prej vitit 2016, lirohet më në fund nga fshatarët (fotot)

08/02/2022 17:47

Pas gjashtë vjetësh me një rrotë gome të ngecur në qafën e tij, një krokodil i ujërave të kripura është çliruar thuajse nga mbytja në Indonezi.

Zvarraniku gati 5 metra i gjatë kishte fituar simpatinë e të gjithë komunitetit të qytezës së Palu, teksa ekspertët trembeshin se do të mbytej nga rrota pasi trupi i tij vijonte të rritej.

Një shpërblim ishte caktuar në vitin 2020 për këdo ‘guximtar’ që do të arrinte të hiqte gomën nga qafa e tij por shumë tentativa kishin dështuar.

Edhe një ekspert australian krokodilësh nuk kishte pasur sukses në tentativën e tij, por dje një dashamirës arriti të krijonte një grackë “miqësore” për të kapur kafshën.

“Unë e kapa vetë krokodilin. Kisha kërkuar ndihmë nga të tjerë por ata ishin të frikësuar”, thotë guximtari 34 vjeçar Tili, i cili ashtu si shumë ne Indonezi përdor vetëm një emër.

Shitësi i zogjve kishte krijuar një grackë me litar dhe dru, duke përdorur pula të gjalla si karrem.

Pas dy javë gjurmimi dhe dy tentativash të dështuara, ai arriti të kapë zvarranikun gjigant.

Më pas rreth 50 vendas i erdhën në ndihmë Tili për të nxjerrë kafshën nga uji. Krokodilit më pas iu dhanë qetësues, gjatë kohës që zyrtarë të ambientit erdhën për të prerë rrotën rreth qafës së tij .

Krijesa më pas u lëshua sërish në lumin e Palu dhe i gjithë komunitetin shprehte çlirim për fatin e krokodilit tashmë të liruar.

Duke bërë foto pas arritjes së tij,Tili buzëqeshte duke thënë se “shumë njerëz nuk besonin te unë dhe mendonin se tentativa nuk ishte serioze”.

“Por unë nuk duroj dot të shikoj kafshë të lënduara, edhe gjarprin qofshin, unë duhet t’i ndihmoj”, thotë Tili, ekspertiza e të cilit me botën e egër është e mësuar vetëm nga eksperienca personale.

“Dje ishte një ditë historike për ne dhe jemi mirënjohës që krokodili më në fund është çliruar nga vendasit që treguan kujdes të jashtëzakonshëm për botën e egër”, tha Hasmuni Hasmar, zyrtari i agjencisë vendase të mbrojtjes së botës së egër.

Ata thanë se Tili do të merrte shpërblimin e caktuar pas suksesit të planti të tij.

FOTO GALERI
1/10
Pas gjashtë vjetësh me një rrotë gome të ngecur në qafën e tij, një krokodil i ujërave të kripura është çliruar thuajse nga mbytja

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA