Kremlini: Nuk mund të bëjmë marrëveshje me Francën, nuk është lidere e NATO-s

08/02/2022 16:11

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se është e pamundur që Rusia dhe Franca të arrijnë një marrëveshje lidhur me krizën Rusi-Ukrainë.

Peskov tha se takimi mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit francez, Emmanuel Macron zgjati dje më shumë se 5 orë. “Marrëdhënie konstruktive dhe vërtet gjithëpërfshirëse janë vendosur midis Putinit dhe Macronit. Kjo u lejon atyre të kalojnë shumë kohë duke biseduar me njëri tjetrin. Gjithashtu, temat e rendit të ditës janë të tensionuara”, tha ai.

Duke komentuar pretendimin e gazetës britanike, “Financial Times” se Putini dhe Macroni arritën një marrëveshje, Peskov tha se ky pretendim është “i rremë”.

“Në këtë rast, nuk është e mundur që Moska dhe Parisi të bëjnë ndonjë marrëveshje. Kjo është e pamundur. Sepse Franca është anëtare e Bashkimit Evropian dhe anëtare e NATO-s dhe lideri këtu nuk është Franca, por udhëheqja është në një vend tjetër”, tha ai.

Peskov theksoi se Putin dhe Macron së shpejti do të zhvillojnë bisedë telefonike.

“Perëndimi nuk është gati të marrë parasysh shqetësimet tona”

Duke u ndalur në çështjen e garancive të sigurisë, Peskov tha se zgjidhja për këtë problem ende nuk është gjetur.

“Ne nuk e ndiejmë dhe nuk e shohim tani për tani që kolegët tanë perëndimorë janë gati të marrin parasysh shqetësimet tona. Kjo çështje mbetet e hapur dhe më e rëndësishmja”, tha Peskov.

“Ka nevojë të madhe për të ulur tensionet”

Duke përmendur situatën në Ukrainë, Peskov tha: “Ka një nevojë të madhe për të ulur tensionet. Sepse tensionet po rritet dita ditës. Vendet perëndimore po dërgojnë njësi ushtarake, avionë të ngarkuar me armë dhe pajisje ushtarake në Ukrainë. Ukraina po bën manovra ushtarake këto ditë dhe po provon modele të reja pajisjesh. Natyrisht, e gjithë kjo do të thotë se po provokon dallgë të reja. Prandaj, ka nevojë për një de-përshkallëzim”.

“Rusia është e gatshme të takohet me të gjithë”

I pyetur nëse Putin është gati të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Peskov tha: “Askush nuk heq dorë nga ky takim. Nëse ky takim ndihmon në zgjidhjen e situatës që është kthyer në ‘Nyjën Gordiane’ në Ukrainën juglindore, Rusia do të jetë e gatshme të takohet me të gjithë”.

“Së pari, për çfarë qëllimi, për çfarë çështjesh dhe për çfarë konkluzione do të bëhet ky takim. Ende nuk ka mirëkuptim për këtë”, tha Peskov.

Sipas tij, Rusia dhe Bjellorusia do të zhvillojnë stërvitjen e përbashkët ushtarake “Allied Determination-2022” në territorin e Bjellorusisë në datat 10-20 shkurt. Peskov tha se njësitë ushtarake ruse do të kthehen në vendin e tyre pas stërvitjeve.

Ai potencoi se data e takimit midis Putinit dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Turqi nuk është përcaktuar ende./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA