Në studion e ‘Top Talk’ për ditën e sotme ishte i ftuar në një lidhje live analisti Skënder Minxhozi, për t’i bërë një analizë aktualitetit në vend, ku duket se protagonizmin e arenës dhe vëmendjes publike, po e merr Presidenti Ilir Meta.

Në një seri procesesh të cilat vijojnë me Gjykatën Kushtetuese, por edhe reagimet Kreut të Shtetit kanë qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Minxhozi thotë se Presidenti Meta është një prej politikanëve që ndodhet më në vështirësi dhe arsyeja kryesore është se ai është jashtë kohe!

Sipas analistit, Meta ka një moshë politike që sado që përpiqet ta fsheh apo kamuflojë ajo përsëri duket! Mixhozi thotë se janë një sërë politikanësh, ku në krye të listës janë Presidenti Meta dhe ish kryeministri Sali Berisha, të cilët nuk luftojnë më kundër kundërshtarëve të tyre politik, po kundër vetes së tyre për shkak të moshës politike!

Pjesë nga biseda në studio:

Denis Dyrnjaja: Ilir Meta në një mënyrë ose një tjetër po e merr vëmendjen e politikës me reagimet e tij, çfarë mund ta quajmë këtë, protagonizëm politik i vënë në detyrim, apo një lojë e Metës e zakonshme për stilin e tij?

Skënder Minxhozi: Besoj se janë të tjera njëherësh, sepse janë të gjithë këta elemente, është Ilir Meta që ne e njohim tashmë nëpër fushata elektorale, është Meta që njohim kur vihet në presion dhe kështu është prej kohësh. Është edhe Ilir Meta me piruetet e tij të zakonshme si politikan, ka dekada tashmë që përdor këtë stil, duke gërshetuar shkeljet e syrit, goditjet, shtrëngimet e duarve, thikat pas shpine. Ky është personazhi!

Denis Dyrnjaja: Të duket në vështirësi Ilir Meta? Kur e pyesin nëpër studio televizive nëse do ta lirojë zyrën nëse shkarkohet nga GJK ai qesh! Duket sikur shpërfill formën edhe atë që po ndodh si proces.

Skënder Minxhozi: Ilir Meta është një ndër politikanët më në vështirësi dhe besoj arsyeja kryesore është se ai është jashtë kohe! Ka një moshë politike e cila vjen një moment sado ta kamuflosh, sado t’i bësh makiazh dhe rimel ajo përsëri duket. Besoj se ka një listë politikanësh në Shqipëri që fillon me Berishën dhe Metën, të cilët luftojnë jo më kundër kundërshtarëve politikë, jo më kundër akuzave dhe zullumeve që i kanë mbledhur ndër vite, por kundër vetes së vet, për shkak të moshës politike. Nëse ka një gjë që nuk kthehet pas është koha dhe po të kthejmë kokën pas, i mbajmë mend këto personazhe në tribunat e fushatave dhe podiumet e politikës, atëherë realisht e kuptojmë se faktori kohë tashmë edhe për ilir Metën por edhe për të tjerë ka marrë një peshë që e bën atë të ndihet keq, të acarohet, të luftojë të thotë se ka moshën e Cristiano Ronaldos, ndërkohë që e di fare mirë që nuk e ka këtë moshë dhe që të premtojë rikthime kur e di që nuk mund të kthehet fuqishëm si dikur!

Top Channel