“Tensionet gjeopolitike ndikojnë në tregun tashmë të ngushtë evropian të gazit natyror”

07/02/2022 21:04

Sipas agjencisë globale të vlerësimit ‘Fitch Ratings’, rritja e tensioneve gjeopolitike në muajt e fundit ka kontribuar në tregun tashmë të ngushtë evropian të gazit natyror dhe ka nxitur kërkime për furnizime shtesë.

Kompania ‘Fitch Ratings’ tha se tensionet e intensifikuara gjeopolitike mund të kenë vonuar gazsjellësin ‘Nord Stream 2’ të kompanisë ‘Gazprom’ që do të transportojë gaz nga Rusia në Gjermani, me çka ka rritur paqëndrueshmërinë e çmimit të gazit dhe ka nxitur kërkime për furnizime alternative me gaz për Evropën.

Më tej, theksohet se faktorë të tjerë kryesorë që kontribuojnë në tregun tashmë të ngushtë evropian të gazit natyror janë inventarët e ulët të gazit dhe furnizimet e reduktuara nga kompania ruse ‘Gazprom’.

“Derisa Evropa do të mbetet e varur nga furnizimet me gaz rus në një afat të afërt, në afat më të gjatë kjo mund të çojë në një bazë më të larmishme të furnizuesve dhe tranzicion më të shpejtë të energjisë”, tha ‘Fitch Ratings’.

Kompania ruse ‘Gazprom’ ka qenë furnizuesi më i madh i gazit në tregjet evropiane, duke përmbushur rreth një të tretën e kërkesës për gaz në Evropë.

Megjithatë, tha ‘Fitch Ratings’, përgjigjja e kufizuar e ofertës së kompanisë ndaj rikuperimit të kërkesës dhe shfrytëzimi i ulët në objektet e rezervave të lidhura me kompaninë ‘Gazprom’ gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021 kontribuan në një rritje të konsiderueshme të çmimit të gazit në Evropë.

“Megjithëse kompania thuhet se ka vazhduar të përmbushë detyrimet e saj të shpërndarjes sipas kontratave afatgjate, ajo nuk ka ofruar ndonjë vëllim domethënës në tregjet lokale. Si rezultat, dërgesat e gazsjellësit të ‘Gazprom’ në tregun evropian janë ulur”, thuhet në njoftimin e agjencisë globale të vlerësimeve.

‘Fitch Ratings’ tha se gazi natyror i lëngshëm (LNG) dhe furnizuesit e tjerë të gazsjellësit kanë ndihmuar në zbutjen e furnizimeve të reduktuara të gazit rus në afat të shkurtër.

Por, shtoi agjencia, konsumatorët evropianë që konkurrojnë me Azinë për gazin LNG dhe nivelet e ulëta të gazit në objektet evropiane të rezervave çojnë në çmime të larta të gazit në Evropë./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA