Presidenti Ilir Meta në një deklaratë për mediat pasi Gjykata Kushtetuese mbylli seancën, për të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të tiji brenda 30 ditëve përmendi një pjesë të pyetjeve të bëra në Kushtetuese gjatë seancave gjyqësore të mbajtura.
Ai thekson se Kuvendi manipuloi provat e dërguara në Gjykatën Kushtetuese.
Meta shpjegoi një prej deklaratave të forta të tij gjatë fushatës zgjedhore, që u përdor në seancat gjyqësore, ku ai u bënte thirrje qytetarëve që të mprehin sfurqet për të mbrojtur votën.
Sipas kreut të shtetit, ajo deklaratë është bërë nisur nga një ngjarje e përjetuar nga vetë ai, ku banorët e Libofshës mund të merrnin mjetet e tyre të punës së përditshme.
“Në rastin e Fierit i referohet një ngjarje që vetë kreu i shtetit e ka përjetuar, ku u bënë bashkë banditët e policia dhe gratë e Libofshës u detyruan të rrëmbenin sfurqet, si mjete pune të banorëve të zonës, është e pakuptueshme që maxhoranca është shqetësuar për sfurqet kur ato nuk ndikojnë tek votat”, tha Meta.
Deklarata e presidentit më 21 prill 2021 ishte: Tani unë meqë për dy ore do iki në Vlorë dhe do kaloj në Fier, do iki vetë t’ja vë posterat e tij që të kënaqet ai, provokator i qelbur që kërkon të prishë ditën e dielës. Ti mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sopatat t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën dhe po u prek vota, do dalin kundër me presidentin në krye qytetarët e Fierit dhe Mallastrës. Se ky është problemi, që më vonë të thonë që kjo u bë me urdhër të Metës, se kështu thonë.
Kjo deklaratë e presidentit, ku bënte thirrje për dhunë u komentua shumë gjatë zgjedhjeve. Presidenti Ilit Meta në konferencën për shtyp u shfaq i ashpër pas incidentit në Fier të LSI-së me heqjen e banderolave.
Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.
Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021.
Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.
Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”
Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosi për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.
Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.
Top Channel