Shtëpia e Bardhë: Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në çdo moment

07/02/2022 18:59

Mes tensioneve të vazhdueshme me Rusinë, administrata Biden po paralajmëron se më shumë se 100 mijë trupat ruse përgjatë kufirit të Ukrainës mund të fillojnë një pushtim në çdo moment.

Trupat nga Divizioni i 82-të i Forcave Ajrore Amerikane zbarkojnë në Poloni, një shenjë mbështetjeje mes aleatëve të NATO-s pas një grumbullimi të vazhdueshëm të trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës.

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në Poloni tregon solidaritetin tonë me të gjithë aleatët tanë këtu në Evropë dhe padyshim gjatë kësaj periudhe pasigurie, e dimë se jemi më të fortë së bashku”, tha gjenerali Chris Donahue me Divizionin e 82-të Ajror.

Sipas Departamentit të Shtetit, përveç dërgimit të trupave amerikane në vendet aleate të NATO-s në Evropën Lindore, Uashingtoni ka dërguar 650 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, sasia më e madhe ndonjëherë për këtë vend. Qeveria e Ukrainës deri më tani e ka minimizuar mundësinë e një pushtimi rus. Por zyrtarë të lartë amerikanë mendojnë ndryshe.

“Ne besojmë se ekziston një mundësi shumë e qartë që Vladimir Putini të urdhërojë një sulm ndaj Ukrainës. Mund të marrë një sërë formash. Mund të ndodhë që nesër, ose mund të duhen edhe disa javë. Ai e ka vënë veten në pozicion me dislokime ushtarake për të qenë në gjendje të veprojë në mënyrë agresive kundër Ukrainës në çdo moment tani”.

Jake Sullivan shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë përpjekjet diplomatike nëse Rusia zgjedh rrugën e uljes së tensioneve. Kriza përgjatë kufirit të Ukrainës po ndihmon në krijimin e një momenti të rrallë uniteti politik në Uashington, pasi anëtarët nga të dyja partitë kryesore e dënojnë një pushtim të mundshëm.

“Kushtet janë aty. Ka më shumë gjasa të ndodh sesa jo. Laku po mblidhet rreth Ukrainës. Këto janë kohë të rrezikshme. Koha është thelbësore. Ky do të ishte pushtimi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore koha, siç përmendi Jake Sullivan, po afron“, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.

Ndërkohë, ukrainasit dolën në rrugë të shtunën në një demonstrim force, duke u zotuar se do të “mbronin” atdheun e tyre.

Në Çërnobil, vetëm 10 kilometra larg Bjellorusisë, Garda Kombëtare e Ukrainës kryen stërvitje me zjarr të drejtpërdrejtë.

Përpjekjet diplomatike mes anëtarëve të NATO-s dhe Rusisë ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Një pikë kyçe e pengesës është kërkesa e Rusisë që Ukraina të mos pranohet kurrë në NATO, një kërkesë e panegociueshme për Shtetet e Bashkuara./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA