Policia e Malit të Zi konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është duke hetuar disa thirrje për shkaktim të kaosit në Mal të Zi, të bëra përmes aplikacionit të mesazheve Telegram.
Sipas policisë, mesazhet e tilla në Telegram janë shpërndarë nga një grup i quajtur “Rebelimi është gjendje shpirtërore”.
Mesazhet që bëjnë thirrje për “gjak e thikë” janë shpërndarë edhe në rrjete të tjera sociale më 6 shkurt.
Grupi ka mbi 17.4 mijë anëtarë, kryesisht nga Serbia, Republika Sërpska e Bosnje e Hercegovinës dhe Mali i Zi.
Në postimet e tyre, anëtarët e grupit identifikohen me Kishën Ortodokse Serbe, lavdërojnë kriminelin serb të luftës, Ratko Mlladiq, promovojnë ideologji çetnike dhe pretendojnë se “serbët në Mal të Zi janë të rrezikuar”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Pas shpërndarjes së postimeve të tyre në internet, grupi ka deklaruar se “nuk ka bërë thirrje për derdhjen e gjakut vëllazëror”, porse “populli është shtypur brutalisht, arrestuar dhe persekutuar për tridhjetë vjet dhe nuk mundet më”.
Prokuroria kompetente e shtetit të Malit të Zi është njoftuar në lidhje me këtë ngjarje, por ajo nuk është deklaruar ende për të.
Siç raporton REL në Mal të Zi, sulmet, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes janë bërë më të shpeshta në këtë vend që nga ndërrimi i pushtetit në vitin 2020.
Pas 30 vjetësh në pushtet të Partisë Demokratike të Socialistëve, koalicioni qeverisës në Mal të Zi është formuar nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA, në dhjetor të 2020-ës.
Megjithatë, kjo qeveri – e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq – është rrëzuar nga Kuvendi i Malit të Zi, javën e kaluar.
Gjatë ditës së hënë, Kuvendi pritet të hedhë në votim edhe shkarkimin e kryetarit të këtij institucioni, Aleksa Beçiq.
Prejse është formuar, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.
Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit, do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv.
Ai ka thënë se ka disa opsione për zgjidhjen e situatës, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme./REL/
Top Channel