Një pushtim rus i Ukrainës mund të shkaktojë 50,000 viktima civile.
Ukrainasit nuk do të mund të rezistojnë gjatë dhe kryeqyteti i vendit, Kiev, do të bjerë në duart e Moskës brenda disa ditësh, thanë zyrtarë të administratës Biden përpara ligjvënësve në konferencat e bëra publike së fundi, raportoi The New York Times.
Ata pohuan se nuk mund të konfirmonin nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte vendosur të urdhëronte pushtimin, por besojnë se afërsisht 70 për qind e forcave të nevojshme për një pushtim janë tashmë në rajon. The Washington Post, citon sakaq zëvendës/ambasadorin rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyanskiy, i cili e hodhi poshtë vlerësimin e inteligjencës amerikane si “çmendurie pastër” dhe që “ka për qëllim të mbjellë frikë”.
“Po nëse do të thoshim ne se SHBA mund të pushtojë Londrën brenda një jave dhe të shkaktonte 300 mijë vdekje civile? … A do të ndiheshin mirë amerikanët dhe britanikët? Sepse e njëjta gjë vlen dhe për rusët e ukrainasit”, shkroi ai në Twitter.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan u shpreh më herët se lufta do të vinte me një kosto të tmerrshme jetësh njerëzore për Ukrainën, por do të kishte në të njëjtën kohë edhe një kosto strategjike për Rusinë. Sipas Sullivan, mësymja mund të jetë cështje ditësh.
Top Channel