Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nisi një vizitë pune në Bukuresht, me ftesë të z. Lucian Netejoru, shefi i Inspektoriatit Gjyqësor të Rumanisë, në kuadër të bashkëpunimit të nisur nëntorin e kaluar me Rrjetin Europian të Shërbimeve të Drejtësisë.
Metani takoi ministrin e drejtësisë së Rumanisë z. Cătălin Predoiu, me të cilin bashkëbisedoi mbi ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri, një sfidë e ngjashme për të dy vendet, pasi reforma në drejtësi ka qenë kusht i rëndësishëm për anëtarësimin e Rumanisë në Bashkimin Evropian 15 vite më parë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi rolin e Rumanisë në mbështetje të hapjes së negociatave për Shqipërinë, kur mbante presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe u shpreh se ndihmesa e Rumanisë me eksperiencën e saj me reformën në drejtësi në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, do ishte e vyer për Shqipërinë.
Për çështje të reformës në drejtësi dhe eksperiencën rumune z. Metani ka biseduar në një takim edhe me kryetaren e komisionit për çështjet ligjore të Senatit rumun, znj. Laura-Iuliana Scânte.
Top Channel