Presidenti malazez Milo Gjukanovic sqaroi se partia e tij do të mbështesë “çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të vendit, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin dinamik ekonomik, në mënyrë që Mali i Zi, si një vend i zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt”.
Në një intervistë për DW, Gjukanoviç tha se vendi i tij tani është “në proces të konsolidimit të pushtetit” dhe se interesi më i madh i Malit të Zi është që sa më shpejt të ketë një qeveri të përgjegjshme.
Përkrahjen ndaj qeverisë së pakicës së propozuar nga zv/kryeministri Dritan Abazovic, ai e argumentoi duke thënë se “ do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”.
Qeveria e deritanishme përbëhej nga tre koalicione, “njëra prej të cilave është koalicion i profilizuar qartë i Serbisë së Madhe.
Ne kemi menduar, se nëse një qeveri e tillë përcakton politikën shtetërore, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi”.
Mendoj se falë nesh, falë opozitës shtetformuese, Mali i Zi arriti t’i rezistojë ofensivës së Beogradit. Pas 30 gushtit përjetuam një ofensivë shumë agresive nga Beogradi.
Nacionalizmi serbomadh nga Beogradi kuptoi se fitorja e të preferuarve të tyre hapi derën për një aneksim të ri të Malit të Zi, këtë herë përmes projektit “Bota Serbe”. Kjo nuk ndodhi sepse kishim një opozitë me përgjegjësi shtetërore të drejtuar nga DPS”, është shprehur ai.
Top Channel