Drejtoria e policisë greke në Selanik ka kryer katër arrestime të reja në kuadrin e hetimeve për vrasjen brutale të 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos nga një grup huliganesh mbrëmjen e 1 shkurtit në lagjen Harilau të qytetit.
Kështu përveç një 23 vjeçari me origjinë shqiptare që akuzohet se ka marrë pjesë në vrasje, janë katër persona të tjerë për të cilët ende nuk janë publikuar të dhënat që janë prangosur nga forcat e policisë me të njëjtën akuzë. Një nga të arrestuari e rinj është shqiptar, ndërsa të tjerët janë grekë.
Përveç kësaj sipas burimeve policore janë lëshuar edhe urdhër arresti për gjashtë persona të tjerë, mes të cilëve edhe një 20 vjeçar me origjinë shqiptare për të cilin thuhet se është larguar në Shqipëri një ditë me vonë pas krimit.
Edhe ministri i Mbrojtjes Civile Takis Theodorikakou pas njoftimit të policisë greke në lidhje me zhvillimet e vrasjes së 19-vjeçarit Alkis ka deklaruar: E kishim thënë që në momentin e parë se është çështje nderi për policinë greke, për drejtësinë, për shtetin në tërësi, që hetimi për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis të shkojë deri në fund. Për të gjetur fajtorët dhe për t’i vënë ata para drejtësisë. Kjo ishte dhe është detyrë e shtetit ligjor dhe po bëhet realitet tani. Zbatimi i menjëhershëm i drejtësisë dhe nisma për t’i dhënë fund kësaj dhune dhe huliganizmi të paarsyeshëm.
Nga dhjetë të dyshuarit që ditën e parë tre ishin me origjinë shqiptare , një me origjinë gjeorgjiane dhe gjashtë grekë.
Top Channel