Koreja e Veriut po vazhdon të zhvillojë programin bërthamor dhe të raketave balistike, përfshirë edhe aftësitë për të prodhuar materialet e para bërthamore, në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit, thanë ekspertët e Kombeve të Bashkuara në një raport të ri.
Paneli i ekspertëve, në një raport, të cilin e ka parë Associated Press, thanë se ka një “përshpejtim të dukshëm” të testimeve të kryera nga Pheniani dhe të demonstrimit të armëve të reja me rreze të shkurtër veprimi dhe me rreze të mesme veprimi gjatë testimeve të bëra përgjatë janarit.
“Teknologjitë e reja të testuara përfshijnë edhe një kokë të mundshme bërthamore hipersonike dhe një automjet të manovrueshëm”, tha paneli. Koreja e Veriut po ashtu ka demonstruar “aftësi për dislokim të shpejtë, lëvizshmëri të gjerë (përfshirë edhe në det) dhe elasticitet të përmirësuar të forcave të saj raketore”.
Ekspertët thanë se Koreja e Veriut “po vazhdon të kërkojë jashtë vendit materiale, teknologji dhe njohuri për këto programe, përfshirë edhe përmes mjeteve kibernetike dhe kërkimit të përbashkët shkencor”.
Një vit më parë, paneli kishte thënë se Koreja e Veriut kishte modernizuar armët bërthamore dhe raketat balistike duke mos respektuar sanksionet e OKB-së, duke përdorur sulme kibernetike për të ndihmuar financimin e programeve dhe duke vazhduar që të kërkojë materiale dhe teknologji jashtë shtetit për arsenalin e saj bërthamor, përfshirë edhe në Iran.
“Sulmet kibernetike, veçanërisht në asetet e kriptovalutave, vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm i financimit” për qeverinë e Kim Jong Unit, thanë ekspertët që monitorojnë zbatimin e sanksioneve kundër Veriut.
Në muajt e fundit, Koreja e Veriut ka testuar një sërë sisteme të armëve dhe ka kërcënuar se do të heqë moratoriumin katërvjeçar dhe do të testojë armë më serioze. Në janar të këtij vitit, Koreja e Veriut ka lëshuar nëntë raketa dhe ka testuar edhe armë të tjera, përfshirë edhe raketa hipersonike dhe raketa që lëshohen nga nëndetëset.
Këshilli i Sigurimit fillimisht kishte vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut më 2006 pas testimit të parë bërthamor dhe ndër vite, këto sanksione janë ashpërsuar, teksa ky shtet ka vazhduar të sofistikojë programin bërthamor dhe atë të raketave balistike.
OKB-ja në të kaluarën ka thënë se Koreja e Veriut arrin të shmangë sanksionet dhe të importojë në mënyrë të paligjshme naftë të rafinuar, të ketë qasje në kanalet bankare ndërkombëtare dhe të kryejë “veprimtari dashakeqe kibernetike”.
Top Channel