Kush mund të bëjë anti-Tiranën. Kartvizitën e identikitit mund ta japë sfida e kësaj të diele, Laçi-Vllaznia. Dy nga skuadrat më të afërta në ndjekje të bardhebluve, përballen në një ndeshje direkte, rezultati i së cilës mund të ndikojë edhe në bindjen se janë për titull
Bëhet fjalë për një përballje mes dy skuadrave solide, Laçi nuk humbet prej 9 ndeshjesh, disfatën e fundit e ka pësuar pikërisht nga kuqeblutë, ndërkohë që Vllaznia nuk mundet prej plot 14 takimesh, edhe pse në bilancin e formacionit shkodran peshojnë më shumë barazime, çka reflektohet edhe në klasifikim, ku distanca më e madhe me Tiranën është një faktor që e çon kahun e peshores së presionit më shumë nga skuadra e Brdaric.
Laçi i Mirel Josës ndërkohë është në shëndet të plotë, në fazën e dytë kanë bërë madje më shumë pikë se Tirana, falë një loje të rrjedhshme, një mesfushe efikase, dhe një sulmi që funksionon, edhe pse në repartin e ndërmjetëm mbetet për t’u parë se sa do të peshojë mungesa e Regi Lushkjas, mesfushorit që la si dhuratë lamtumire edhe fitoren e fundit ndaj Partizanit.
Vllaznia në takimin e fundit fitoi minimalisht ndaj Kastriotit me një penallti të Liridon Latifit, dhe për këtë sfidë Thomas Brdaric i duhet të menaxhojë dy mungesa të rëndësishme, ato të Mevlan Adilit dhe Hoxhajt, por ndërkohë trajneri i gëzohet rikthimit të Diagne dhe Da Silvës, ndërkohë që për sa i përket formacionit ka një balotazh mes Krujës dhe Mustedanagic.
Për Laçin ndërkohë ka dhe një motiv ekstra për të kërkuar fitoren, Vllaznia është skuadra e vetme që i ka mundur në të dy përballjet sezonale./Super Sport/
Top Channel