Ikja e infermierëve, fizioterapistëve, radiologëve drejt vendeve të BE-së ka krijuar boshllëqe në sistemin tonë shëndetësor pasi shifra e të ikurve vetëm gjatë 2021 është trefishuar.
Urdhri i i infermierit kërkon që infermierët të mos pengohen për të ikur por të paktën të kenë një kontratë çka i detyron që për disa vite të punojnë në vendin e tyre .
“Nuk kemi pse paguajmë taksa ne për shkollimin e tyre dhe ata të ikin. Të paktën të punojnë një 5-vjeçar e më pas le të ikin”, tha Blerina Duka, presidente e Urdhrit të Infermierit.
Për autoritetet tona shëndetësore nuk duket fenomen shqetësues pasi në portalin e infermierit ka shumë të tjerë në pritje për t’u punësuar.
Por në fakt ajo që duket shqetësuese është se ikin infermierë të kualifikuar e zëvendësohen me infermierë që sapo kanë përfunduar studimet dhe ku teoria me praktikën shpesh janë larg njëra-tjetrës.
“Janë studentë me rezultate shumë të mira, pasi janë ata që nuk kanë kapur dot mjekësi, farmaci”, tha Duka.
Vetëm gjatë vitit të parë të pandemisë pati një frenim të eksodit të bluzave të bardha, por në kushtet e rritjes së kërkesave nga vende të Bashkimit Europian dhe kërkesat e tyre për të ikur sa vijnë e rriten.
Top Channel