U transferua me bujë te Lyon, Shaqiri bën “valixhet” gati dhe largohet nga Franca

05/02/2022 00:44

Pas një transferimi të bujshëm te Lyon në merkato e verës, Xherdan Shaqiri është duke bërë gati valixhet për t’u larguar nga Franca.

Kjo lidhet me një arsye të fortë ekonomike duke qenë se sulmuesit me origjinë shqiptare i ka mbërritur një ofertë e rëndësishme nga MLS amerikane teksa bëhet fjalë për klubin e Chicago Fires.

Drejtor sportiv i këtij ekipi është një njohje e vjetër e Shaqirit pasi bëhet fjalë për Georg Heitz, me të cilin 30-vjeçari ka bashkëpunuar në kohët e Basel, ndërkohë që drejtori i ka premtuar sulmuesit se në Amerikë do të shndërrohej në një nga yjet e kampionatit.

Ndërkaq, edhe pse ende mungon zyrtarizimi rreth kësaj lëvizje, gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur sapo Lyon të arkëtojë shumën e shtatë milionë eurove, një milion më shumë se sa francezët shpenzuan në verë për të transferuar Shaqirin nga Liverpool.

Kështu, me kalimin në Amerikë, Shaqiri mbyll momentalisht një karrierë të lavdishme në Europë teksa është aktivizuar me klube prestigjioze si Inter, Bayern Munich apo Liverpool. Me këto dy të fundit ka fituar edhe dy herë Champions League, një trofe të cilin shumë lojtarë e lakmojnë dhe në fund të karrierës mund të mos e prekin asnjëherë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA