Shkatërrohet “guri i lëmuar”! Po zhvishet e gjithë kodra në bregdet me leje nga bashkia Rrogozhinë

05/02/2022 12:45

Ndonëse shpyllëzimi konsiderohet një nga problemet më të mprehta me pasoja të rënda në mjedis, vetëm pak kilometra larg Durrësit dhe Tiranës, po ndërhyhet në një nga kodrat buzë detit Adriatik duke e shpyllëzuar atë nga shkurret mesdhetare për përfitimin e sipërfaqeve të reja.

Kjo perlë njihet me emrin “Guri i lëmuar” dhe ndodhet në territorin e bashkisë së Rrogozhinës, po prej një muaji ka nisur ndërhyrja për të shkatërruar natyrën. Një subjekt ka nisur të zhveshë shpatin e kësaj kodrine që zbret në detin Adriatik dhe është pjesë e planit për zhvillimin e turizmit natyror.

Një muaj pasi ka nisur ndërhyrjen e paligjshme në kodrinë, subjekti, që rezulton pronar në këtë pjesë të bregdetit, i është drejtuar bashkisë së Rrogozhinës e cila menjëherë, brenda ditës, më 27 janar të këtij viti, ka miratuar kërkesën. Pa verifikuar situatën në terren, bashkia ka lejuar subjektin të bëjë “lëvizje dherash me qëllime bujqësore dhe blegtorale”. Ndërkohë e gjithë kjo zonë që në vitin 2018 është nën hetim për tjetërsim pronash, ndaj dhe në hipotekën e Kavajës ekziston një urdhër për vendosjen e masave kufizuese ndaj pasurive të paluajtshme në të.

Ne kontaktuam Bashkinë Rrogozhinë, por ajo kërkoi kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve tona me shkrim.

Top Channel