Kërcënonin një 17-vjeçare nga rrjetet sociale, me qëllim përfitimin e shumave në lekë dhe euro. Arrestohen 3 persona dhe shpallet në kërkim një tjetër

05/02/2022 10:02

Një vajzë 17-vjeçare është kërcënuar përmes rrjeteve sociale nga disa persona për gati 30 ditë, ku si pasojë e këtyre kërcënimeve, ata kanë arritur të përfitojnë prej saj disa shuma parash.

Policia, me t’u vënë në dijeni për ngjarjen, arriti të finalizojë me sukses operacionin policor të koduar “Rrjetet sociale”, ku si rezultat i këtij operacioni ranë në pranga shtetasit E. B., 20 vjeç, banues në fshatin Neviçisht, Korçë; K. P., 28 vjeç, banues në Korçë; Xh. D., 21 vjeç, banues fshatin Barç, Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi K. A., 19 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë.

Ata akuzohen për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim.

Sipas policisë, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nga rrjetet sociale, një 17-vjeçare, së cilës i kanë marrë përgjatë 1 muaji në kohë të ndryshme, shuma të ndryshme në lekë dhe euro, në shumën 200.000 lekë dhe 8.000 euro.

Po ashtu, thotë policia, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100.000 lekë, 6.000 eur0, një automjet tip “Benz” dhe katër aparate celularë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel