SHBA zbulon komplotin: Detaji si do të nisë pushtimi rus në Ukrainë!

04/02/2022 19:52

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se kanë të dhëna se Rusia po pret thjesht rastin sulmin mbi Ukrainë.

Për këtë arsye, rusët janë përgatitur të fabrikojnë një pretekst për pushtimin e vendit fqinj. Ai, sipas një zyrtari amerikan, do të vijë në formën e një videoje me pamje të rënda që do të paraqesë një sulm të rremë kundër Rusisë.

Duke folur në kushte anonimati, zyrtari i cituar nga një sërë mediash amerikane, tha se videoja do të përmbajë skena të rënda të një shpërthimi të rremë me trupa gjoja të pajetë, aktorë të cilët hiqen si njerëz që vajtojnë dhe pamje objektesh të tjera të shkatërruara. Pajisjet ushtarake të përdorura gjoja në sulm, do të duken si ukrainase ose si ato të vendeve aleate perëndimore.

Amerikanët besojnë se Rusia do të bëjë publike videon në mënyrë që të duket sikur Ukrainë është një kërcënim për sigurinë e Moskës, e për të justifikuar në këtë mënyrë mësymjen ndaj saj.

Kremlini, thonë ata, njihet për makinerinë e fuqishme të propagandës dhe zyrtarët perëndimore besojnë se presidenti Vladimir Putin po përdor taktika nga më të ndryshmet për të minuar demokracinë ukrainase. Rusia vazhdon të mbajë të grumbulluara 100 mijë trupa në kufi, megjithatë Putin vazhdon të pohojë se nuk e ka në plan pushtimin. Amerikanët vetë e pohuan së fundi se nuk e dinë nëse presidenti rus ka vendosur ta hedhë këtë hap apo jo, por druhen se grumbullimi masiv i trupave mund jetë thjesht një prelud i agresionit të Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA