Regjistrohet “Shtëpia e Lirisë”/ KQZ nuk pranon Berishën si pjesë të koalicionit në zgjedhje

04/02/2022 15:19

Për herë të parë nga dita kur hyri në politike Sali Berisha nuk mundi te regjistrohet për të marrë pjesë në një proces zgjedhor.

KQZ vendosi të heqë Komisionin e Rithemelimit të PD-së nga përbërja e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” duke pranuar regjistrimin e tij vetëm me dy subjekte zgjedhore, Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane.

Celibashi: Vendos të regjistroj si subjekt zgjedhor pjesëmarrjes në zgjedhjet e pjesshme vendore koalicionin e partive politike LSI dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë. Emri i koalicionit “Shqipëria e Lirisë”, partia udhëheqëse e koalicionit LSI. Kundër këtij vendimi mund te behet ankimin brenda 24 orëve ne Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.

Konfuzionin që mund të kenë votuesit ditën e zgjedhjeve e vuri në pah edhe juristi i Lulzim Bashës në KQZ, i cili kërkoi përjashtimin e Komisionit të Rithemelimit nga gara e 6 Marsit.

Marash Logu: S’duhet te regjistrohet. PD e përfaqëson si kryetar Lulzim Basha ne s’kemi ndërmend të bëjmë koalicion me asnjë.

Debati mes partive politike në sallën e KQZ nuk është më mes maxhorancës dhe opozitës, por ndërmjet PD dhe LSI. Përfaqësuesi i Monika Kryemadhit kundërshtoi argumentet e demokratëve duke këmbëngulur në regjistrimin e koalicionit të plotë.

Fjala e fundit i takoi komisonit Ilirjan Celibashi, i cili vendosi të nxjerre nga “Shtëpia e Lirisë” Sali Berishën duke i lënë kandidatët e propozuar nga ai nën patronazhin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane.

Top Channel