Hapja e Lojërave Olimpike Dimërore do të bëhet më 4 shkurt në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, teksa Kina tenton të largojë vëmendjen nga shqetësimet për përhapje të koronavirusit dhe historinë rreth të drejtave të njeriut.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Gjermania, Australia dhe shtete tjera, do të bojkotojnë hapjen e këtyre Lojërave për shkak të trajtimit që u bën Kina ujgurëve dhe grupeve tjera myslimane në Provincën Ksinjiang.

Në ceremoninë hapësire, presidenti kinez, Xi Jinping do të jetë nikoqir i rreth 20 liderëve botërorë, duke përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, shteti i të cilit ka dënuar bojkotin diplomatik dhe tentimet për “politizim të sportit”.

Putin, i cili synon të rrisë lidhjet me Kinën në kohën e tensioneve me Perëndimin – pas pozicionimit të mbi 100 mijë trupave ushtarake në kufi me Ukrainën – ka përshëndetur “modelin” e marrëdhënieve me Pekinin, në një bisedë telefonike të zhvilluar në muajin dhjetor, duke e quajtur homologun e tij kinez, “mik të dashur”.

Në mesin e liderëve tjerë që do të marrin pjesë në ceremoninë hapëse janë: presidenti kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, presidenti polak, Andrzej Duda, presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, dhe lideri de facto i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, janë disa prej liderëve të institucioneve globale që do të marrin pjesë në ceremoni.

Në hapje do të ketë pak spektatorë, ndonëse ende nuk dihet numri.

Biletat nuk kanë qenë në shitje në publik për shkak të pandemisë.

Pekini bëhet qyteti i parë nikoqir i Lojërave Olimpike Veriore dhe atyre Dimërore.

Mirëpo zgjedhja e Pekinit për të organizuar këto Lojëra është kritikuar për shkak të mungesës së borës natyrale.

Ngjarjet në ambient të jashtëm do të mbahen të gjitha pothuajse në borë artificiale.

Pavarësisht situatës me koronavirus, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka dërguar mesazh pozitiv pak para hapjes së ceremonisë.

“Kina është tani komb i sportit dimëror”, ka thënë ai.

“Ne po shkruajmë së bashku një kapitull të ri të sportit”./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA