KQZ ka miratuar kërkesën e LSI për t’u regjistruar si koalicion në zgjedhjet e 6 marsit.

Ndër të tjera, Celibashi ka rrëzuar dy kërkesat e Partisë Demokratike për mosregjistrimin e koalicionit. Sipas kreut të KQZ-së, kërkesat e demokratëve kanë një linjë logjike, por nuk kanë bazë ligjore.

Më herët gjatë kësaj mbledhje, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu renditi në arsyetimin e tij dy elemente që nga ana ligjore e bënin të pamundur procedimin nga ana e KQZ për të regjistuar si koalicion “Shtëpia e lirisë”.

Celibashi: Ne konsiderojmë që duke arsyetuar për pretendimet e përfaqësuesit të PD, së pari për legjitimitetin në raport me afatin, ne këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot dhe në momentin që shqyrtohet, LSI figuron të jetë e regjistruar si subjekt zgjedhor.

Pretendimi nuk ka bazë ligjore. Jemi duke shqyrtuar dhe rikonfirmoj interesin e tyre për të patur një koalicion zgjedhor në këto zgjedhje. Ndaj vlerësoj që kërkesa e subjektit zgjedhor LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion me subjekt zgjedhor që e ka zgjedhur, në vlerësimin tim ka legjitimitet të plotë. Lidhur me përmbajtjen dhe pjesën materiale apo thelbësore të pretendimit të përfaqësuesit të PD, mendoj që qëndron, konkretisht përsa i përket disa aspekte identifikuese qoftë politike apo dhe zgjedhore të këtij koalicioni. Besoj se nk qëndron kërkesa e arsyetuar nga ana e përfaqësuesit të PD se do ishim në këtë situatë nëse do kishim mungesë të dokumentacionit.

Ne kemi të gjithë elementet për të regjistruar një parti politike minimalisht me një tjetër si subjekt zgjedhor. Ne vlerësojmë që është e panevojshme dhe jemi në situatën kur kërkesa në përbërje me disa aspekte reflekton konfliktualitet sipas përcaktimeve të nenit 65/66 të Kodit Zgjedhor.

Pra, PD Komisioni i Rithemelimit nuk mund të jetë pjesë në koalicion, sa kohë që nuk është regjistruar si parti politike. Kështu koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’ sipas KQZ do të përbëhet nga vetëm dy parti politike LSI dhe PDK.

Celibashi: Kërkesat për të përfshirë në simbole e sigla apo dhe në thelbin e vet elemente që lidhen me PD nuk mund të pranohen pasi jo vetëm për faktin që Logu tha se i mungon interesi PD për këtë koalicion, mendoj se ishte një përcellje e interesit të tyre në pikëpamje formale. Nga ana tjetër, ajo çfarë vlen më shumë është diskutimi për simbole apo elementë të tjerë që krijojnë konfuzion tek zgjedhësit. Ndaj në vlerësim përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt zgjedhor koalicionin e partive politike “LSI dhe PDK” me emrin e koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Partia udhëheqëse është LSI. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe për këtë vendim mund të bëhet ankimim brenda 24 orëve.

Top Channel