Pikëvështrimi ynë mbi botën i jep formë mënyrës sesi e përshkruajmë atë. Edhe përmes lentes së shkencës, leximi që i bëjmë realitetit vijon të mbështetet mbi këndvështrimin njerëzor. Këtu lind dhe konceptimi i realitetit tonë, jo si një i vetëm e unik, por si spektër dhe forcë në shndërrim të përhershëm, përmes triliona vitesh jetëgjatësie të Universit.

Por ç’mund të ndodhë në një botë kur perceptimet tona plazmohen identike, nën patronazh, më shumë se kurrë më parë?

Ç’do të ndodhte në rast se komunikimi masiv, përmes algoritmesh të përmirësuara, veçsa do të radikalizonte gjithë ato mendje dhe qëndrime të cilat më parë ndërvepronin në hapësira kufitare të përbashkëta. Po sikur bota jonë, dita ditës, të jetë duke u shndërruar nga një realitet ngjarjesh dhe ndodhish në një realitet objektesh?

Atëherë, çdo gjë do të ishte fiks ashtu siç duket. Pa mister. Pa nëntekst. Pa mundësinë e një deux ex machina. Në një leksion mbi Unin dhe Pushtetin, të vitit 1982, mendimtari francez Michel Foucault shprehej se: “Nuk e shoh të nevojshme të di saktësisht se kush jam.

Interesi kryesor duhet të jetë të bëhesh tjetërkush nga ç’ke qenë në fillim”. Gjërat ndryshojnë vetëm kur hyjnë në marrëdhënie me njëra-tjetrën, ndaj ky është një podcast shndërrimi.

Nisur mbi supozimin se mbase tashmë vërtet çdo gjë është ashtu sic duket, ju sfidojmë të na provoni se mund ta kemi gabim. Me dëshirën për të dekonstruktuar hapësira të kufizuara dhe për t’i shpëtuar gjuhës së drunjtë, pas së cilës shpesh fshihet vetëm mungesë mendimi, takohemi për 12 episode radhazi; pimë një gotë bashkë (qerasim ne), flasim për kulturën që na nxit të reagojmë, për gjithë ato gjëra që na troshisin dhe eksplorojmë me hap të kujdesshëm pikat ku na dhemb. Me të ftuar të ndryshëm, të cilët kanë si kusht parak lënien pas të klisheve, hyjmë në një bashkëbisedim të sinqertë dhe fuqizues, për të gjithë ne.

Çdo të enjte pasdite, nga ora 18:00 në orën 20:00, takohemi në Top Albania Radio.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA