Burg për Saimir Tahirin, avokati mesazh të koduar: Të gjithë pushtetarët ‘duhet të vishen trashë’

04/02/2022 18:25

Avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia dha një mesazh të koduar për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, pasi gjykata dënoi me tre vite e katër muaj burg ish-ministrin.

Ai ironizoi reformën në drejtësi duke thënë se nëse ajo po aplikohet ndaj Tahirit, atëherë politikanët duhet të vishen trashë në dimër, duke në nënkuptuar se kjo reformë do të prekë edhe figura të tjera të larta.

“Nëse reforma në drejtësi për korrupsion do të aplikohet ndaj Tahirit, e them edhe si sarkazëm, por merreni si të doni, politikanët duhet të vishen trashë në dimër”, tha Haxhia.

“Lidhur me këtë vendim pavarësisht se unë jam avokat, por ishte një vendim skandaloz, në këtë vend dy gjëra dihet që janë të sigurta lindja dhe vdekja. Dënimi i Saimir Tahirit do të kënaqë pritshmërinë e opinionit shqiptar le ta themi që quhet të jetë përmbushur.  Në thelb ka po të njëjtin vendim në fuqi. Hakmarrje kënaqje e epërsisë i një pushteti të pashpjegueshëm. Kur flas për kënaqje them për mision, por shpërdorimi i detyrës nuk është në kompetencë të kësaj gjykate. Ishte non sens të hiqet pezullimi, nuk e  dimë si do ta justifikojë gjykata një vendim të tillë që do të thotë se ky vendim ishte ‘për të kënaqur’. Paramendimi në këtë vendim ka të bëjë me faktin që gjykata dhe ata që i iniciuan i tremben. I kishte të gjitha mundësitë që të mos vinte, pati edhe persona që i thanë mos hajde, por insistoi që do të jem në dispozicion të drejtësisë siç ka treguar këto 5 vite. Sot do të shkojë në drejtori dhe prej  aty do të sistemohet”, tha Haxhia.

Në lidhje me pyetjen nëse Tahiri ka folur për presion politik ndaj tij, avokati nuk pranoi të përgjigjej.

“Kjo është përgjigje që duhet dhënë nga Tahiri. Unë ju garantoj që ky vendim ishte për të njollosur Tahirin. Ai e priti vendimin qetësisht. Nuk është se ne nuk kemi diskutuar variantet e mundshme dhe ky ishte një nga ato. Mungesa e trupit gjykues, të paktën duhet të dilte dhe të thoshte që shtyhet vendimi. Kjo tregon edhe njëherë që drejtësia ka marrë një supermarci edhe në atë presion që është ndodhur zakonisht”, tha Haxhia.

Hapi i radhës për Tahirin do të jetë përgatitja e rekursit, ndërsa avokati tha se vendimi i arsyetuar do të vonohet.

“Do të ketë rekurs, por presim vendimin e arsyetuar. Jam i sigurt që do të vonohet, por do të përgatisim. Ai e priti qetësisht, nuk është se ne nuk i kishim diskutuar variantet”, tha avokati.

Anila Hoxha: Në cilin burg do të qëndrojë sot Tahiri?

Maks Haxhia: Ai kishte mundësi që të mos vinte, por insistoi që do të jem në dispozicion të drejtësisë siç ka treguar këto 5 vite.Sot do të shkojë në drejtori dhe prej  aty do të sistemohet.

Anila Hoxha: Pse kërkuat dy paketa cigare?

Maks Haxhia: Për Saimirin se unë s’e pi cigaren.

Anila Hoxha: Gjatë bisedës e prisnit që të shpallej vendimi?

Maks Haxhia: Prisnim pafajësi totale.

Anila Hoxha: Cilat ishin porositë e Tahirit?

Maks Haxhia: E vetmja porosi ishte që të më qetësonte se më pa që isha tepër i tronditur.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin.

Për shkak të uljes së dënimi, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj, ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu “313” në Tiranë.

Top Channel