Zjarri ka përfshirë një banesë në lagjen ‘Xhabije’ të Shkodrës, ndërsa një i moshuar ka humbur jetën si pasojë e flakëve.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se nga informacionet e para mësohet se një person ka mbetur brenda banesës që po digjej dhe ka humbur jetën. Mësohet se viktima ishte një i moshuar 72-vjeçar, i cili ishte i sëmurë dhe i paralizuar.
Në banesë jetonin vetëm një çift të moshuarish, të cilët ngroheshin me gaz. Dyshohet se zjarri ka rënë nga rrjedhja e bombolës së gazit. Pas flakëve menjëherë kanë ndërhyrë banorët e lagjes dhe një turist gjerman, i cili po kalonte rastësisht. Ata kanë arritur të nxjerrin prej aty bashkëshorten e viktimës, ndërsa ka qenë e pamundur nxjerrja e të moshuarit.
Policia dhe forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia.
Top Channel