Shtëpi të re për 154 familje. Durrës, ndërtimi përfundon pas 18 muajsh. Brenda në qytet do ndërtohen 20 pallate

03/02/2022 15:16

Pas 18 muajsh 154 familje durrsake do të bëhen me apartament të ri. Pallati në rrugën Dalim Peza, në lagjen 17 u shemb si pasojë e lëkundjeve të tërmetit në 26 nëntor.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, thotë se 20 pallate të reja do të hedhin themelet në vendin e pallateve që shkatërroi tërmeti. Por ndryshe nga pallatet e mëparshmë cilësia e ndërtimit është kryefjala e punimeve.

Emiriana Sako: “Kemi miratuar rindërtimin e  objektit po në të njëjtin truall, pra ky është një objekt pikësor. Në qytetin e Durrësit ka 20 pallate të tilla, ku ka filluar puna me 5 objektet e para të cilat këto janë në të njëjtin vend ku kanë qenë pallatet ekzistuese. këtu kemi një objekt i cili do të ndërtohet me të njëjtin volum me objektin e mëparshëm do të akomodohen 154 familje dhe do të kemi shërbime në katet përdhe. Gjithashtu një pjesë e apartamenteve do të pajisen me sipërfaqen e parkimit. “

Ndërkohë që në lagjen 17, punimet sapo kanë nisur, në njësinë administrative Manzë, bashkia e Durrësit po bëhet gati të dorëzojë çelësat e 226 apartameteve. Një tjetër sit gjigant pallatesh është duke u ngritur në zonën e Spitallës. 996 familje do të jenë banorët e rinj e kësaj zone.

Top Channel