Rritje rekord e çmimit të energjisë në Mbretëri të Bashkuar

03/02/2022 21:18

Rregullatori i energjisë në Mbretëri të Bashkuar njoftoi të enjten se kufiri mbi çmimet e energjisë po rritet me një rekord prej 54 për qind për shkak të kostove në rritje të gazit natyror, një ndryshim që do të rëndojë ndjeshëm miliona familje që në të njëjtën kohë po përballen me rritje tjera të çmimeve.

Zyra e Tregjeve të Gazit dhe Energjisë Elektrike, e njohur si “Ofgem”, tha se kufiri i ri i çmimit – shuma maksimale që furnizuesit e gazit mund të ngarkojnë klientët – do të rritet për 693 funta në vit në shumicën e pjesëve të Mbretërisë së Bashkuar duke filluar nga muaji prill. Kjo do të bëjë që fatura vjetore për konsumatorin mesatar të shkojë deri në 1,971 funta.

Vendimi ka të ngjarë të prekë 22 milionë familje në të gjithë vendin.

Shefi i Thesarit, Rishi Sunak, njoftoi menjëherë një paketë masash për të ndihmuar miliona njerëz, përfshirë ata me të ardhura më të ulëta në mënyrë që të përballen me rritjen e madhe të faturave të gazit, raporton AP.

“Pa veprimet e qeverisë, kjo do të jetë tepër e vështirë për miliona familje,” u tha Sunak ligjvënësve britanik.

Njoftimi për shtrenjtim të çmimit të energjisë rritë edhe më shumë një krizë të kostos së jetesës në Mbretëri të Bashkuar, ku kostot e ushqimit janë rritur vazhdimisht dhe një rritje e taksave do të hyjë në fuqi në muajin prill.

Banka e Anglisë gjithashtu ngriti sërish normat e interesit të enjten nga 0.25 për qind në 0.5 për qind për të luftuar rritjen e çmimeve të konsumit.

Inflacioni në vend është në nivelin më të lartë në dekada, duke qëndruar aktualisht në 5.4 për qind në dhjetor.

Banka qendrore ka paralajmëruar se mund të rritet në 6 për qind në prill. Disa analistë parashikojnë se inflacioni mund të arrijë në 7 për qind./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA