Kryeministri Edi Rama, me një postim të shkurtër në rrjetin social “Facebook”, tregoi çfarë ka diskutuar sot në ayrën e tij me Presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin.
Sipas kryeministrit, u diskutua për finalen e Conference Ligue që do të mbahet në Tiranë dhe për zgjedhjet e reja në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Mesditën e së enjtes në Tiranë mbërriti presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin për një takim kokë më kokë me kryeministrin e vendit Edi Rama.
“Takimi sot me Presidentin e UEFA-s s’mund të ishte dot më i mirë për qëllimin e përbashkët të zhvillimit në Tiranë të finales së parë europiane në histori, si dhe të realizimit të një procesi të besueshëm për të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e reja të FSHF”, shkruan Rama.
Në fokus të bisedimeve ka qenë situata zgjedhore në vend tejet e tensionuar, për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF-s dhe presidentin e saj dhe çështja e organizimit të finales së madh europiane të Conference League e cila pas ngjarjes së rëndë të eksplozivit në shtëpinë e presidentit të FSHF-s Armand Duka u vu në diskutim për arsye sigurie.
Top Channel ka mësuar se numri një i futbollit europian ka marrë garanci të plotë nga kryeministri i vendit për mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhorë.
Gjithashtu ai ka bërë me dije se në ditët në vazhdim dy drejtues të lartë të UEFA-s do të jenë në korent me ngjarjet orë pas ore nga çdo qytet i Shqipërisë për të garantuar pavarësinë e procesit zgjedhor.
Pas takimit me kryeministrin Rama, Aleksandër Ceferin është takuar sërish me presidentin e FSHF-s Armand Duka me të cilin zhvilloi një vizitë në Shtëpinë e Futbollit, për t’u larguar nga kryeqyteti Shqiptarë rreth orës 18.30
Top Channel