Dy goditje me rëndësi absolute në merkaton e transferimeve të dimrit për Tottenhamin e Antonio Contes. “Spurs”-at janë forcuar me dy ish-futbollistë të Juves, Bentancur dhe Kulusevski.
“Janari është një dritare ndryshe nga vera, këtu po flasim për mundësitë që ekzistojnë. Ne shkuam për të marrë lojtarët e duhur për pozicionet e duhura,” – tha Fabio Paratici, drejtori sportiv i Tottenhamit për kanalin e klubit. – “Morëm lojtarë si Bentancur dhe Kulusevski, të cilët janë të rinj, por tashmë me përvojë të madhe. Bentancur ka luajtur për Juventusin për 5 vite dhe ka gati 200 ndeshje, Kulusevski është afër 100. Të dy luajnë për ekipin kombëtar dhe kanë marrë pjesë në Kampionatin Botëror ose Evropian.
Ata janë ende lojtarë të rinj dhe ne do të duhet t’i bëjmë ata të rriten përsëri. Në këtë kampionat, me këtë skuadër, me Conten mund të përmirësohen më tej. Bentancur është mesfushor i kompletuar, një futbollist i besueshëm. Kulusevski është vetëm 21 vjeç, ka 10 gola dhe 10 asistime me Juventusin dhe është një perspektivë e madhe në nivel evropian”.
Paratici, më tej shprehet se nga bashkëpunimi me Conten mund të arrihen objektiva të rëndësishëm.
“Unë dhe Antonio kemi punuar së bashku për një kohë të gjatë për të arritur qëllime të mëdha. Shpesh flasim çdo ditë sesi mund ta përmirësojmë skuadrën, jo vetëm në nivel teknik, por edhe në stilin e lojës dhe mentalitetin. Pastaj duhet kohë dhe pasion për të ndërtuar diçka, por duhet të jemi të bashkuar. Ne kemi një nga trajnerët më të mirë në botë dhe mendoj se po ecim në drejtimin e duhur.”
Top Channel